Kujdes nga ethet e Nilit, janë edhe në Maqedoni!

Temperatura të larta trupore, ftohje dhe dhimbje muskujsh janë simptomat të cilat diagnostifikojnë ethet e Nilit Perendimorë, virus ky i cili një ditë më parë mori edhe viktimën e parë në Maqedoni. Sedat Lumani, mjek i përgjithshëm nga Shkupi duke na folur për mënyrën se si dallohet dhe diagnostifikohet kjo sëmundje, na tha se Virusi përhapet me pickimin e mushkonjës aziatike, ndërsa nuk mund të bartet nga njeriu në njeri.

“Simptomat janë të njejta si të virusit të gripit, si të ftohjes ose rufës apo flamës. Do të thotë pacienti ka dhimje të muskulaturës, temperaturë të lartë, molisje, dhimbje koke, si komplikime ndër të tjera vjen edhe ajo meningoencefalitis që jo rrallë herë mbaron me vdekje siç ka ndodhur rasti tek ne, në Serbi, Kosovë par dje dhe kështu. Nuk ngjitet ky virus prej njeriu tek njeriu, por vetëm nëpërmjet mickojave nëse e bartin llarva të virusit të Nilit” sqaron Lumani.

Lumani gjithashtu njofton se nuk ekziston ndonjë terapi e vecantë për këtë virus, ndërsa personat e infektuar duhet të shtrihen në spital.

“Terapi kauzale nuk ka për viruset, këto raste duhet të hospitalizohen, me terapi adekuate do të thotë cilin organ e ka zënë sipas nevojës, secili subjektivisht trajtohet” tha Lumani.

Ndryshe, simptomat e para shfaqen prej tri deri në 14 ditë pas pickimit. Simptomat e infeksionit të rëndë janë temperatura e lartë trupore, dhimbjet e padurueshme të kokës, shtangia e qafës, dezorientimi, dridhja, koordinimi i keq, sulmet, dhimbja dhe paraliza e papritur ose dobësia në duar dhe këmbë. Për të shmangur pickimin mushkonjave mund ta mbroni shtëpinë tuaj me rrjeta në dritare të cilat do t’i parandalojnë të hyjnë në shtëpi. Mushkonjat janë më së shumti aktive në agim dhe muzg, prandaj më së miri është të mos dilni në atë kohë, por nëse duhet të dilni gjithsesi përdorni preparatet që ju mbrojnë nga pickimet. Sipas nevojës vishni rroba me mëngë të gjata. Ndërrojeni vazhdimisht ujin për kafshët shtëpiake, ndërsa ujin në kova të mëdha derdheni sepse tërheq mushkonjat.

Dje ky virus ka marrë edhe viktimën e parë nga Maqedonia. Bëhet fjalë për një pacient i cili paraprakisht ka qenë i sëmurë nga diabeti, hipertensioni dhe pesha e rritur trupore. Personi në Klinikë është hospitalizuar që nga 11 shtatori. Edhe dy persona të tjerë në vendin tonë janë të infektuar me këtë virus, njëri është i moshës 66-vjeçare me diagnozën meningoencefalitis dhe për momentin është në gjendje të mirë shëndetësore në fazën e shërimit. Personi tjetër është fëmijë i hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektuese, i lindur në vitin 2005, me diagnozën meningitis dhe është në gjendje të mirë shëndetësore dhe në fazën e shërimit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button