Duke pritur dobësimin e SHBA-s dhe shpërbërjen e Bashkimit Evropian (Pjesa II)

Pas botimit të shkrimit tim mbi Emir Kusturicën kam pasur një shkëmbim mesazhesh me një ish-shokun tim serb të shërbimit ushtarak. Kjo korrespondencë midis nesh u zhvillua si më poshtë:

LEXO: Korrespondencë me ish-shokun tim të Armatës Jugosllave (Pjesa I)

“Duke pritur dobësimin e SHBA-s dhe shpërbërjen e Bashkimit Evropian”

Merxhani: I nderuari shoku Mlladen. Nëpër gazeta, portale e media serbe është duke vazhduar fushata propagandistike për korrigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve, Shqipërinë e madhe e deri tek lufta. Liderët ultranacionalistë dhe diletantët utopistë janë duke pritur që në një të ardhme të afërt, nga njëra anë të ndodhë dobësimi i SHBA dhe shpërbërja e BE, kurse nga ana tjetër të fuqizohet Kina dhe Rusia si lidershipi i botës. Këta dy aleatë të Sërbisë do të mundësojnë rikthimin e Kosovës. Këto iluzione i ngjajnë një metafore të Nasradin Hoxhës. Pas shumë lodhjeve, Nasradin Hoxha e kishte lënë gomarin të pushonte në mes të dy mullarëve dhe të zgjidhte barin për të ngrënë. Gomari ishte në dilemë  dhe nuk po vendoste se në cilin mullar të zgjidhte barin. Duke  pritur me ditë të tëra, në fund gomari ngordhi. Serbia, duke pritur se cilit aleat t’i bashkangjitet, mund ta pësojë si gomari i Nasradin Hoxhës.

Mlladeni: I dashur shoku im Merxhan. Fatkeqësisht ne serbët jemi  të ndarë në dy pole. Njëri pol – pro-perëndimorët, modernistët liberalë; poli tjetër – tradicionalistët ortodoksë e pansllavistë, eurofobistët, ultranacionalistët. Ne serbët jemi si ato vajzat para martesës në dilemë dhe vështirësi për të vendosur. Opsioni i parë për t’u martuar është që vajza të zgjedhë burrin e pasur, pa dashuri dhe të jetojë në një vilë luksoze si princeshë. Në fund, kur vajza vendosi të martohet për pasuri dhe jo për dashuri, ajo mbeti duke pritur dhëndërin për të vënë kurorë, por dhëndëri nuk erdhi.

Opsioni i dytë është që ajo të martohet për romantizëm, me dashuri, kur dhëndëri ka të njëjtën origjinë, të njëjtin gen, gjak dhe fis. Por në mëngjes dhëndëri do të dalë i dëshpëruar dhe do të thotë se nusja nuk ishte e virgjër.

I nderuari Merxhan. Dashuria, romantizmi dhe nostalgjia ndaj rusëve, tek ne serbët ngjan si kur tek shqiptarët në periudhën e Luftës së Ftohtë. Kur ju si komb ishit të ndarë me perde të hekurt, gjysma e popullit tuaj që jetonin në Jugosllavi vuanin nga nostalgjia, romantizmi, nacionalo-patriotizmi dhe për këtë kishin të drejtë. Por po të lejoheshin që të bashkoheshin me Shqipërinë e Enver Hoxhës, kombësia shqiptare nuk do të jetonte as 24 orë nën bastionin stalinist dhe  diktaturën më të egër që kishte parë Evropa. Merxhan, unë vuaja nga Jugo-nostalgjia. Në Jugosllavinë e Titos gjithë populli ka jetuar më mirë se tani. Shqiptarët kanë qenë të shtypur, të diskriminuar në Jugosllavi, por kanë jetuar më mirë se në Shqipërinë komuniste.

Merxhani: Por, ish-shoku im i ushtrisë Mlladen, të gjithë nga pak vuajnë nga nostalgjia, por as Titoja as Enver Hoxha nuk do të kthehen më. Shqiptarët nuk do të kthehen kurrë në një federatë me sllavët, edhe sikur të ishte Nënë Tereza presidente.

Mlladeni: I nderuari Merxhan.  Dashuria, romantizmi pansllavist dhe orthodoksia ndaj vllaut të madh është sikur dy vëllezër të ndarë në fëmijëri “Të mallëngjyer, të përmalluar dhe të vuajtur, kur takohen pas shumë dekadave, né fillim pérqafohen të përlotur, por në fund ndahen dhe nuk duan të takohen me njëri-tjetrin kurrë më në jetë. Kështu, shoku im, është dashuria serbo-ruse.

I nderuari shoku im Merxhan. Ne sllavët e jugut, qysh në shekullin VII kur erdhëm në Evropën Juglindore, kemi qenë të shkëputur e të ndarë me rusët. Serbët rrallë uidhëtonin në Rusi. Më shumë serbë mund të takosh në Kinë ose në Afrikë se në Rusi. Serbët as si turistë nuk udhëtojnë në Rusi, përveç gruas së Sllobodan Millosheviçit, Mariana Millosheviçit. Ne serbët kemi qenë gjithnjë të lidhur me Perëndimin. Më se 30 përqind e serbëve punojnë dhe jetojnë në Perëndim. Mbi 80 përqind udhëtojnë dhe kanë lidhje familjare në Bashkimin Evropjan dhe në Amerikë. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjaté luftrave ballkanike të viteve ’90-të serbët u shpërngulën si refugjatë në Perëndim, kurse në Rusi nuk kanë kaluar as tranzit. Rusia nuk ka çfarë t’u ofrojë serbëve vetëm se armë, gaz, pansllavizëm dhe orthodoksi. Kurse Sërbia mund t’u ofrojë rusëve vetëm molla dhe shlivovicë. Pa marrë parasysh se ne serbët shikojmë me njerin sy nga vëllau i madh, serbët ardhmërinë e kanë tek familja evropjane, në Evropën e lirë, pluraliste, demokratike, me vlera, tradita, begati, dinjitet dhe liri.

Populli rus, Merxhan, akoma nuk e ka shijuar demokracinë. Ata nuk e dinë se ç’është demokracia. Katër shekuj kanë jetuar nën sundimin e carëve. Afër një shekull nën perandorinë e kuqe. Tani nën autokraci, autoritarizëm dhe totalitarizëm. Rusët, në dallim nga popujt e Evropës Lindore, si liri, pas komunizmit, mund të marrin ndonjë vizë tek ambasadat evropjane duke pritur ditë të tëra, mund të kenë një veturë të përdorur “Made in Europe” ose “Made in Japan”, kurse pér pushimet verore mund té shkojnë në Turqi, Egjipt ose Kubë.

Autor: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button