Qytetarët kërkojnë që nëpërmjet të dialogut të tejkalohet kriza

Maqedonasit dhe shqiptarët janë të ndarë në vlerësimin për homazhet e bëra në varrezat e ish-dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan. Mirëpo ata i bashkon qëndrimi i përbashkët se kriza politike duhet të tejkalohet nëpërmjet të dialogut në institucionet e Maqedonisë.

Një anketë e realizuar në mënyrë telefonike nga Instituti për Demokraci e bërë prej 14 deri më 17 shtator 2012 ku u anketuan gjthsej 1100 qytetarë, jep pasqyrën e dallimeve diametralisht të kundërta të dy komuniteteve më të mëdha në vend, lidhur me dy çështje – nëse akti i ministrit Besimi kontribuon në pajtimin shqiptaro-maqedonas, dhe nëse ministri Besimi duhet të kërkojë falje për këtë veprim.

Në pyetjen e parë, 74 për qind e të anketuarve maqedonas vlerësojnë se veprimi i ministrit të Mbrojtjes nuk është në funksion të pajtimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe vetëm 13 për qind e tyre e mendojnë të kundërtën.

Në bllokun tjetër, 80 për qind e shqiptarëve vlerësojnë se homazhet në Sllupçan kontribuojnë në pajtimin, ndërsa 17 për qind mendojnë ndryshe.

Të ngjashme janë rezultatet edhe sa i përket çështjes nëse ministri Besimi duhet të kërkojë falje. 78 për qind e maqedonasve mendojnë se duhet ta bëjë këtë dhe vetëm 10 për qind e konsiderojnë të kundërtën.

Tek shqiptarët, 83 për qind e tyre mendojnë se nuk ka përse kërkohet falje, kurse 13 për qind thonë se mbase do të duhej.

Ajo që i bën bashkë në këtë anketë shqiptarët dhe maqedonasit është çështja se si duhet të zgjidhet kriza politike.

51 për qind e maqedonasve dhe 48 për qind e shqiptarëve mendojnë se ajo duhet zgjidhur përmes dialogut në institucione, kurse vetëm 14 për qind, gjegjësisht 19 për qind mendojnë se duhet shpallur zgjedhje të parakohshme./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button