Bruksel, Nishani takon Fylen: Të përfundojë reforma parlamentare

Zbardhet takimi i zhvilluar rreth mesditës në Bruksel mes presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani dhe Komisionerit Europian të Zgjerimit Stefan Fyle, ku është diskutuar mbi zhvillimet më të fundit sa i përket procesit të integrimit te Shqipërisë në BE.

Sipas një njoftimi nga zyra e komisionerit Fyle, siguruar nga News 24, Eurokomisioneri ka përgëzuar zotin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit duke vënë theksin në rolin kyc të presidentit për promovimin e dialogut ndërpartiak dhe vazhdimin e procesit të reformave. 

“Shqipëria ka një perspektivë të vërtet për të bërë progres në rrugën e saj europiane, nëse vendi arrin të plotësojë 12 prioritetet kyce të përcaktuara nga Komisioni Europian. Kjo përfshin vecanërisht miratimin e Ligjit për Gjykatën e Lartë dhe përfundimin e Reformës Parlamentare. Reforma e sistemit të imuniteteve është gjithashtu e rëndësishme”-ka thënë Eurokomisioneri Fyle gjatë këtij takimi. Ai ka theksuar gjithashtu se sa i përket sundimit të ligjit, Shqipëria duhet të intensifikohen përpjekjet e saj për një gjyqësor të pavarur dhe efiçent duke vazhduar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Në këtë kontekst, Fyle ka mirëpritur angazhimin e presidentit Nishani në reformimin e sistemit gjyqësor dhe integrimin europian. 

“Shqipëria të vazhdojë të qëndrojë e fokusuar në reformat gjithëpërfshirëse, të cilat janë të nevojshme për të ardhmen e saj europiane”- ka thënë Fyle, ndërsa ka mirëpritur gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për paqe e stabilitet në rajon, duke inkurajuar vendin tonë të vazhdojë në frymen e bashkëpunimit rajonal. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button