Lideri i Hezbollah u drejtohet shiitëve

Lideri i lëvizjes shiite libaneze, Hezbollah, është shfaqur në publik për herë të parë që prej dhjetorit të vitit 2011 për të denoncuar filmin amator anti-Islam, që ka shkaktuar protesta në mbarë botën. 

Duke folur në një tubim në Beirut, Sheiku Hassan Nasrallah deklaroi se SHBA do të përballen me raprezalje nëse lejojnë që videoja e plotë të publikohet. 

Protesta të reja u zhvilluan në vendet myslimane gjatë së hënës lidhur me videon e xhiruar në amerikë. Protesta të dhunshme u mbajtën në Afganistan e Pakistan. 

Të paktën një protestues u vra gjatë manifestimeve në Pakistan, ndërsa mijëra të tjerë morën pjesë në një tubim analog në Filipine, në qytetin e Marauit. Ndërkohë, të shtëna armësh u regjistruan në kryeqytetin afgan të Kabulit. 
Në Beirut, Hassan Nasrallah iu adresua një turme të madhe në bastionin e Hezbollahut, në jug të qytetit. Ai tha se bota nuk e kupton “shkallën e lartë të poshtërimit” të shkaktuar nga “sulmi më i rëndë në histori ndaj Islamit”. 

Ndodh rrallë që lideri influent i grupit militant shiit shfaqet në publik. Zakonisht ai u adresohet mbështetësve të vetë përmes videove në internet për shkak të frikës së mos e vrasin. 

Korrespondenti i BBC në Beirut tha se ndryshe nga protestat në vendet e tjera, përfshirë një në veri të Libanit ku humbi jetën një person, në tubimin e Hezbollahut nuk pati akte dhune. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button