Zgjedhje të parakohshme apo votëbesim?

Opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot pritet zyrtarisht ta paraqesë interpelancën për votëbesim të Qeverisë në Kuvend. Sipas rregullores së Kuvendit , Kushtetutës dhe praktikës së deri tanishme e njëjta mund të jetë në rend dite të premten, por gjithçka varet nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Nga VMRO-DPMNE thonë se është e drejtë e opozitës të propozojnë, por se janë të gatshëm me argumente ti kundërpërgjigjen interpelancës. 

Por, jozyrtarisht përfolet mundësia që VMRO DPMNE të vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse ndodh kështu, atëherë atë do ta bëjnë para të premtes, duke mos i dhënë mundësi opozitës që ta rrëzojë Qeverinë në Interpelancë parlamentare. 

Gjithashtu edhe nga BDI-ja nuk u deklaruan publikisht, por janë në pritje të dorëzimit të Interpelancës dhe pastaj do të ndërtojnë qëndrimin si parti dhe si grup parlamentar se si do të veprojnë, gjatë debatit që do të zhvillohet. 

Interpelancën për besimin e Qeverisë të dielën e paralajmëroi kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski, në një takim me qytetar në Manastir, i cili u shpreh se interpelanca ka për qëllim të vë në sprovë koalicionin qeveritar, pas paralajmërimeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë opozitare kanë qëndrim të unifikuar dhe do të votojnë pro interpelancës nëse paraprakisht VMRO nuk ua prish planin me zgjedhjet e parakohshme.

Shumicën parlamentare mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së numëron 71 mandate deputeti, ndërsa opozita parlamentare ka gjithsej 52 mandate edhe atë 42 deputet LSDM-ja, 8 PDSH dhe 2 RDK-ja. 

Sipas kësaj matematike, për të kaluar interpelanca duhet 64 vota, gjë të cilën opozita nuk e ka, por mund të sigurojë vetëm nëse i bindin një pjesë të deputetëve të shumicës. Pritet të shohim si do të veprohet më tej duke pasur parasysh se raportet jo të mira mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, pas ngjarjes në Sllupçan, e cila shkaktoi reagimin e VMRO-DPMNE-së dhe Propozim Ligjit për të a.q. “Branitella”, i cili është bllokuar në Komisionin Kuvendor për Punë dhe Politik Sociale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button