Nga burgu lirohet një kriminel, i kërkuar nga Interpoli

Xhemshi Dehari nga Tetova, i cili u arrestua për pjesëmarrje në rrahje masive në një kafiteri të Tetovës, u lirua nga paraburgimi, ndërsa gjykatësi hetues në arsyetimin shkroi se nuk ka bazë juridike që ta mbajë në paraburgim, për shkak se janë pyetur të gjithë dëshmitarët për incidentin. Por, ndonëse Prokuroria pubike u ankua, ankesa është refuzuar. Ajo që i jep rëndësi specifike tërë këtij rasti është fletarrestim ndërkombëtar për Deharin.

Interpoli atë e konsideron si pjestar të një grupi të madh kriminal i cili operon në vendet e Evropës Perëndimore. Tre shtete – Slloveni, Hungari dhe Austri kanë aktivizuar fletarreste pas tij. Dyshohet për vrasje, një sërë plaçkitje të armatosura, tregti me drogë dhe vepra tjera penale, bëri të ditur televizioni “Alfa”.

Pikërisht për këtë shkak është e paqartë pse policia e Maqedonisë, ndonëse e kishte Deharin në duar, nuk e lajmëroi Interpolin se ka person të arrestuar që e kërkojnë tre shtete. Nga MPB-ja theksojnë se nuk janë të zotuar që ta dorëzojnë, sepse bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë. Për lirimin topin e hedhin tek organet gjyqësore. 

Dehari u arrestua pasi shkaktoi incident në një kafiteri në Tetovë së bashku me disa miq të tij. Gjatë rrahjes u përdor armë zjarri, ndërsa kishte edhe të lënduar, në mesin e të cilëve edhe dy policë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button