Ndikimi i shtypit për fëmijë në nxitjen dhe zhvillimin e fuqive kreative te filloristët dhe roli i revistës “Ylberi Plus”

Letërsia dhe shtypi për fëmijë,në kohën më të re,edhe radio, televizioni, interneti dhe sistemet tjera kompjuterike, padyshim janë fuqi apo forcë kreative e llojit të vet, e që ndikojnë si faktor mjaft relevant e të rëndësishëm në formësimin e vetëdijes dhe koshiencës, sidomos tek moshat e njoma, personaliteti i të cilëve formohet  që në familje dhe, përmes procesit edukativo-arsimor shkollor, madje edhe përmes aktiviteteve të lira shkollore e jashtëmësimore në përgjithësi.

Më konkretisht, shtypi për fëmijë dhe literatura për fëmijë përgjithësisht e kanë qëllimin shumë dimensional – për ta plotësuar, freskuar dhe ilustruar mësimin; për ta modernizuar procesin mësimor, duke ndihmuar në ndërtimin, përforcimin dhe zgjërimin e diturive, paralelisht me përmbajtjet e qarkut të gjërë të kurreshtjes së lexuesit të ri, me ç’rast ai nuk është në gjendje të gjejë përgjigje në tekstet shkollore.

Letërsia për fëmijë, si krijimtari specifike gjuhësore – artistike dhe shtypi si literaturë publicistike – pedagogjike në veçanti, e tërheqin vëmendjen e fëmijës me atraktivitetin, me të shprehurit figurativ, me thjeshtësinë e figurave dhe ilustrimeve, tabllove poetike – me përmbajtje të nduarnduarta e të llojllojshme artistike, dhe pasurojnë  botën emocionale dhe intelektuale të lexuesit, madje, në të njëjtën kohë, afirmojnë të bukurën, të mirën dhe racionalen, duke nxitur fantazinë dhe frymën creative,  dhe duke zgjuar ndjeshmërinë për vlerat morale dhe estetike.

Kur flasim për rolin e shtypit për fëmijë, patjetër të përmendim faktin se, ky ndikim është një ndër hallkat kryesore në zinxhirin e ndërmjetësimit në mes librit apo tekstit shkollor dhe literaturës plotësuese të nxënësve. Shumëllojshmëria e teksteve dhe ilustrimeve të përfshira në to  (madje edhe zhanret dhe përmbajtjet tematike), japin mundësi që fëmijët të gjejnë në revistë insteresin e tyre të gjërë.

Kështu, nuk mundemi të mos potencojmë në këtë frymë “imponimin”  mjaft të suksesshëm të revistave në gjuhën shqipe këtu në Maqedoni, e në veçanti të revistës “Ylberi” -1995,  në shkollat tona fillore shqipe, madje,  “Ylberi plus”  që nga viti 2004 e këtej – me ndikimin mjaft impenjues në nxitjen e të menduarit dhe imagjinatës tek nxënësit e grupmoshave nga vitet 8 – 12 vjeç, duke mëkuar të shprehurit gojor dhe figurativ; zhvillimin e dashurisë për natyrën dhe botën në përgjithësi , heronjve apo personazheve pozitivë në tregimet dhe poemat e shumta reprezentative, e k.m.r.

S’do mend se, këto vlera në lidhje me zgjërimin e horizonteve më të gjëra tek fëmijët apo lexuesit e vegjël, varësisht nga grupmoshat, me sukses i ka luajtur kjo revistë prestigjioze. Për nxënësit e kësaj kategorie që përmendëm, ajo, me temat dhe rubrikat e veta, ka qenë dhe vazhdon të jetë e dashur dhe e pranuar me letërsi të zgjedhur, duke plotësuar dituritë dhe kualitetet e tyre, zgjuarsinë dhe kurreshjten, si dhe mundësinë e rrallë për plasimin dhe afirmimin e punëve , rezultateve të arritura në procesin mësimor-edukativ, por edhe ato të shprehura në aktivitetet e lira jashtëmësimore. Kështu, në ndërmjetësimin dhe konkretizimin e këtij kontakti tërheqës, dhe shoqërimin apo miqësimin me këtë medium, në mënyrë të drejtpërdrejtë, madje edhe me sensin argëtues e zbavitës, ndihet formësimi i bazave të personalitetit të ardhshëm.

Gjithsesi se tani më është dëshmuar, por edhe me këtë rast do të potencojmë se, temat dhe përmbajtjet e revistës në fjalë, (përmendëm pak edhe më herët), në të shumtën, janë adaptive apo kompatibile me programet mësimore dhe, përveç kësaj, që është tepër e rëndësishme, japin edhe informacione, njohuri dhe sqarime për të arriturat më të reja, fenomene, dukuri dhe ndryshime në botën moderne të shkencës, teknikës, informatikës, letërsisë, artit, edukimit shëndetësor, madje, vëmendje të veçantë i kushtohojnë edhe çështjes së intimitetit të lexuesit përkatës, d.m.th. nga domeni i rrethit më të gjërë të interesimit, që tërheqin vëmendjen e moshës së cilës i dedikohet, e , që akoma nuk kanë gjetur vendin  e vet në tekstet shkollore, ose, të paktën, nuk kanë mundësi reale të planifikohen apo të përfshihen në mësimin e rregullt. Kështu, më konkretisht, në formësimin, realizimin dhe botimin e revistës “Ylberi”, përgjithësisht janë përfshirë bashkëpunëtorë të dëshmuar dhe me përvojë, recenzentë dhe redaktorë të vyeshëm, të cilët janë kujdesur dhe po kujdesen në gjetjen e formave të prezentimit që janë apo duhet të jenë më të kapshëm për përdorimin praktik të përmbajtjeve aktuale, me ilustrime të pasura dhe shprehje komunikative bashkëkohore, për motivim më sugjestiv dhe të drejtpërdrejtë të imagjinatës kreative dhe frymën hulumtuese ( me rubrika: “Për krijuesit e rinj”, “Bisedë me krijues, artistë, nxënës të dalluar, nxënës talentë”; “Shkrime mbi seksionet shkollore, garat, festat” etj.).

Nga këtu kuptohet se shtypi, literatura apo letërsia për fëmijë, e, në veçanti, revista për të cilën shkruajmë, është një urë ndërmjet institucioneve arsimore dhe kahjet bashkëkohore të jetës dhe kohës. Se sa ky funksion kuptohet nga subjektët tona arsimore, sidomos të arsimit shqip, ky fakt nuk lë shumë për të dëshiruar. Kjo situatë është një temë në vehte, e cila don një trajtim të veçantë. Shkollat tona ende nuk kanë të rregulluar apo s’duan t’i çelin “telashe” vetes për institucionalizimin e “futjes” në shkollë të literaturës dhe shtypit fëmijëror, por shumica sish, duke luajtur edhe rolin e “bllokuesit” të procedurave, zënë shtegun e depërtimit të kësaj literature plotësuese dhe revistave për fëmijë, ku do të vishin në shprehje të gjitha ato përfitime, për të cilat u fol dhe u përmend më lartë.(Këtu faj kanë edhe disa shtëpi botuese, të cilat nuk i “lidhin” punët si duhet).

Le të ngelë ky shkrim edhe një ngritje e “revoltës”, por pse jo edhe një apel deri te të gjithë ata faktorë të cilët ndodhen në krye të institucioneve shoqërore – arsimore e kulturore, të “marrin veten” dhe të ndërtojnë mekanizma, për të vënë në binar punët – në mbështetjen e shtëpive botuese që mirren me shtypin për fëmijë; vënien e koordinatave (të shkëputura) ndërmjet tyre dhe shkollave e, me këtë edhe nxitjen e këshillave të prindërve të shkollave për rregullimin e çështjeve procedurale rreth mënyrës së financimit, e të tejkalohet pengesa e sajuar (më duket nga vetë ne shqiptarët), të cilët, në aparencë duket se jemi më të painformuar sa e si duhet në lidhje me këto rregullativa procedurale për pagesën e revistave dhe literaturës plotësuese të nxënësve  të shkollave fillore.

Kjo shtjellë e përmendur,  nuk shfajëson as neglizhencën apo apatinë e disa mësimdhënësve, të cilët, çdo gjë tjetër janë në gjendje të të organizojnë, vetëm në përzgjedhjen dhe ofrimin e literaturës adekuate nxënësve, ku do të zgjojnë interesin dhe dashurinë e tyre për lexim, nuk janë të “aftë” ta bëjnë! Nxënësit, me ndihmën e arsimtarit organizojnë fotografimin (me të holla –  kesh); organizojnë ekskursione e ahengje gjysmëmature të  shtrenjta (po ashtu me para kesh); bëjnë shënimin e 7 dhe 8 marsit me plot dhurata për mësuesen e mësuesin –  për festat pompoze të ditëlindjeve – bile, mjerisht, me “bekimin“ dhe  ndërmjetësimin e vet  mësimdhënësve të papërgjegjshëm në këtë bujë, kurse në anën tjetër, kur bëhet fjalë për lexim, këtu çalon puna. Kështu, në këtë dimension, vin në shprehje pamundësia jonë në ngecjen e mënyrës së organizimit të pagesës së revistave dhe literaturës plotësuese për fëmijët tanë, me të cilën edhe renditemi në vendin e 67 nga 70 shtetet e përfshira në vlerësimin ndërkombëtar të PISA-s në leximin me të kuptuar, me ç’rast 25% e nxënësve kuptojnë atë që e lexojnë…

Prandaj, nuk gabojmë nëse shprehemi se, numri më i madh i nxënësve, por, mjerisht, edhe arsimtarëve, nuk e kanë idenë se si duket një revistë, çfarë revistash ka patur dhe ka në qarkullim në shkollat tona, se si duhet të përdoren apo aplikohen ato në orë të gjuhës shqipe, cilët leksione duhet të përzgjidhen e të përpunohen nga revistat, etj.

Kështu, në fund do të bëj një digresion suplementar në kontekst të arsyetimit  të asaj që përmendëm më sipër, duke u bazuar në anekdotën kur arsimtari i thotë nxënësit: Kujdes, Agim ku e hedh hapin! E, Agimi përgjigjet: Kujdes, Ju arsimtar i nderuar! Unë ndjeki hapin T’uaj!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button