Nimetz paralajmëron intensifikim të bisedimeve

Ndërmjetësi për çështjen e emrit Metthew Nimetz paralajmëroi intensifikimin e bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës zyrtare. Nimetz pas takimit të mbrëmshëm me Presidentin Ivanov në New York deklaroi se muajin e ardhshëm do të organizojë një raund të ri bisedimesh mes negociatorëve Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis.

Ai njoftoi se përveç nga presidenti Ivanov, garanci për angazhim rreth zgjidhjes së çështjes së emrit ka marrë edhe nga shefi i diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos.

Edhe kryetari Ivanov i vlerësoi si të suksesshme takimet në New York, sidomos për shkak të angazhimit personal të Sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Moon. 

“Nimetz tha se në periudhën e kaluar kishte shumë prolongime për shkak të procesit të zgjedhjeve tek ne dhe tek ata. Ai tha se tani ka interesim personal nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, që në një far mënyrë paraqet presion për vet Nimicin që ta mbajë këtë proces në një dinamikë më të madhe” , ka thënë Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë 
Ai edhe një herë kërkoi të respektohet e drejta ndërkombëtare, vendimi i Gjykatës së Hagës dhe Marrëveshja e përkohshme me Greqinë. 

“E shfrytëzoj këtë rast për ta ftuar fqiun tonë që bashkërisht të punojmë në këtë drejtim. Nga ky vend, nga zemra e KB-së, i ftoj ta respektojnë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë”, u shprej Ivanov.

Ndërsa, një pjesë e ekspertëve në Maqedoni vlerësojnë se paraqitja e kryetarit Ivanov para Asamblesë së përgjithshme tregon se sa politika jonë e jashtme është e ngarkuar me politikën e përditshme dhe ngjarjet në skenën politike vendase. 

“Insistimi për respektimin e vendimit të Gjykatës së hagës është shumë më shumë provokues për palën greke, se sa që mund të japë ndonjë efekt pozitiv. Ajo nuk është e detyrueshme dhe nuk ka mekanizma të cilat do ta detyrojnë Greqinë për ta respektuar atë. Nga ana tjetër, mendoj se insistimi për vendimin e Hagës është mungesë e ideve se si të tejkalohet bllokada momentale që kemi”, u shpreh analisti Albert Musliu. 

Lajme të ngjashme

Back to top button