Gjatë liturgjisë së papës nuk guxon të duartrokitet, rrugët në qendër të Shkupit do të mbyllen nga ora 07:00

Në liturgjinë e shenjtë të cilën, më 7 maj, Papa Françesku do ta mbajë në Sheshin Maqedonia qytetarët nuk duhet të duartrokasin, as të hedhin lule. Këto janë pjesë të rregullave të publikuara nga trupi koordinues i qeverisë për vizitën e Papës në Shkup, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët, të cilët duan të marrin pjesë në liturgji do të duhet të aplikojnë dhe të marrin bileta falas nga kishat katolike në të gjithë vendin. Aplikimi ka filluar prej dje. Qytetarët të cilët do të udhëtojnë drejt Shkupit me makina dhe autobusë duhet të vendosin ndonjë shenjë njohjeje, ndërsa rekomandohet që kjo të jetë logoja zyrtare e vizitës. Në hyrjet e qytet do të ketë polici e cila do t’i drejtojë ata drejt parkingut, ku do t’i presin vullnetarë të cilët do t’i drejtojnë kah sheshi ku do të mbahet Mesha e shenjtë në të cilën pritet të marrin pjesë të paktën 15.000 besimtarë.

“Pjesëmarrësit në meshë duhet të mbërrijnë në Shkup më së voni deri n’ora 6. Është e nevojshme të arrihet në këtë kohë për shkak të kontrolleve të sigurisë që do të kryhen në rrugë, ndërsa nga ora 7:00 rrugët në qendër të qytetit do të mbyllen për trafik. Hyrja në hapësirën për liturgji do të hapet nga ora 6, ndërsa deri në orën 9, të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar duhet të jenë në shesh. Para hyrjes në hapësirën liturgjike do të realizohet kontroll policor”, thuhet në njoftimin në ueb faqes zyrtare për vizitën e papës Françesku në Shkup papa.mk.

Qytetarët të cilët do të jenë të pranishëm në liturgji nuk guxojnë me vete të mbajnë mjete shpërthyese, çakmakë, fishek-zjarre, përzierje të ndezshme dhe lëngje, spreje dhe shishe me ajër të ngjeshur, armë të zjarrit dhe të ftohta. Do të ndalohet futja e ushqimit dhe pijeve në paketime metalike dhe të qelqit, alkool, çadra dhe flamuj.

“Të gjithë pjesëmarrësit duhet të kenë biletë dhe dokument personal- letërnjoftimi ose pasaportë, librezë shëndetësore dhe histori të sëmundjes për të sëmurët kronikë dhe ilaçet më të nevojshme që ata i përdorin. Pastaj uji dhe pijet freskuese duhet të jenë në paketime plastike transparente, ndërsa nëse kanë ushqim me vete, ai duhet të jetë në ambalazh kartoni ose letre. Nëse bie shi, duke qenë se nuk do të lejohen çadra, rekomandojmë mantel për shi”, thuhet në rregullat e publikuara nga trupi koordinues.

Kur papa Françesku do të kalon në mes të pranishmëve, nuk lejohet të hidhen kurrfarë gjërash, madje as lule, ndërsa gjatë liturgjisë nuk lejohet duartrokitje.

Rekomandohet që pjesëmarrësit me vete të mos mbajnë sasi më të madhe parash ose sende me vlerë më të madhe për shkak të grabitjeve të mundshme ose mundësia për t’i humbur, të përcjellin parashikimin e motit dhe të mbajnë veshje në përputhje me motin dhe rregullat për veshje në një kremtim liturgjik. T’i respektojnë udhëzimet që do t’i japin drejtuesit e programit, vullnetarët dhe policia.

Papa Françesku, përveç liturgjisë në Shesh do të takohet edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev. Në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës në rrugën Maqedonia ai do të takohet me krerët e të gjitha bashkësive fetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button