Milionat ruse kundër shtetësisë së Kosovës?

Rusia ka agjendë, përmes së cilës tenton të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, ashtu sikurse edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe ajo investon për prishjen e imazhit të vendit, kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, njofton REL.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten ka theksuar se ekziston një agjendë e Rusisë dhe tendencat për përfshirjen e Kosovës në procese, të cilat do ta nxirrnin vendin, siç ka thënë ai, “jashtë binarëve”.

Haradinaj ka thënë se në forma jo të drejtpërdrejta, Rusia investon para në idenë për ta paraqitur Kosovën “në një status-quo regresive”.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që, sipas të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se politika e Rusisë vazhdon të tentojë që t’i minojë proceset integruese të vendeve të rajonit në NATO dhe BE, përmes pranisë në këto vende, përfshirë edhe Zyrën e Rusisë në Kosovë.

“Sipas shumë të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se në Malin e Zi, Maqedoni, Shqipëri, por edhe Zyra ruse në Kosovë, janë të angazhuara që ta shtrijnë këtë ndikim përmes krijimit të pengesave te këto shtete të lidhjes me NATO-n, përkatësisht, me Bashkimin Evropian. Për këtë, ekziston një bazë e quajtur ‘humanitare’, e cila sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk është një qendër humanitare në Nish (Serbi), por është një qendër e spiunazhit rus”, thekson Matoshaj.

Ai shton se ekzistojnë të dhënat se ambasadat ruse shpenzojnë nga 10 milionë euro në vit dhe sipas tij, ato janë shpenzime për të ushtruar ndikim në politikën dhe mediat e rajonit.

Matoshi thekson se edhe Kosova, duke qenë pjesë organike e Ballkanit Perëndimor, nuk është imune ndaj këtyre tendencave ruse. Sipas tij, Serbia po merr mbështetje pa rezervë nga Rusia, për ta mohuar pavarësinë e Kosovës dhe për ta destabilizuar rajonin.

Matoshi elaboron atë që ka thënë kryeministri Haradinaj, por, megjithatë, nuk jep shumë detaje konkrete lidhur me ndikimin rus në Kosovë.

“Ne vërejmë lëvizje dhe ide, të cilat shpalosen në një pjesë të mediave, do t’i quaja, jokredibile, ku madhërohet armata, përkatësisht doktrina ruse dhe vërejmë intenca të krijimit të kushteve për destabilizim në rajon. Rastin e fundit e kemi pasur në Mal të Zi, ku janë arrestuar njerëz nga Serbia, të cilët nën ndikimin rus, kanë dashur kryejnë atentat në presidentin Gjukanoviq dhe më pas të ushtrojnë puç politik dhe ushtarak në këtë shtet. Këto na bëjnë të mendojmë se Kosova nuk mund të bëjë përjashtim nga kjo tendencë e shtrirjes së ndikimit”, shprehet Matoshi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button