Kralev, nuk intervenojmë me polici në shkollat e Çairit

Ministri për arsim dhe shkencë, Pance Kralev, mesa duket është distancuar nga deklaratat e dhëna më parë se në rast se Komuna e Çairit nuk i respekton afatet dhe nuk i largon tabelat me emrat e ri të shkollave do të intervenojnë me polici.

“Për ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës nuk na shkon në interes dhe asnjëherë nuk ka qenë qëllim i yni që të vije deri tek një hap i atillë ose as që do të vlerësojmë ndërhyrjen e policisë si metodë primare në tejkalimin e këtij problemi” tha Kralev.

Ai gjithashtu potencoi edhe afatin 16 shtator, respektivisht deri të premten Komuna e Çairit duhet të largojë tabelat në katër shkollat.

“Në ligj është definuar një procedurë e qartë ku institucionet do të veprojnë në pajtim të atyre ligjeve. Fillimisht do të pasojnë paditë kundërvajtëse dhe afatet ligjore dhe më pas nëse nuk respektohen këto mbetet përdorimi i mekanizmave tjera në dispozicion, por do të doja të theksojë se me hapat që ka ndërmarrë Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe me komunikimin e tyre që kanë me shkollat do të gjendet një mënyrë që të tejkalohet kjo çështje me qëllim që të mos vije deri tek një hap i atillë” deklaroi Kralev.

Ndryshe, nga 3 shtatori, kur edhe zyrtarisht ka filluar viti shkollor 2012/2013, katër shkollat e Cairit janë riemëruar nga emrat e personazheve të historisë maqedonase në ato shqiptare edhe atë, tani shkollat mbajnë emrin “Hasan Prishtina”, “Imri Elezi”, “Ismail Qemali” dhe “Jashar Bej Shkupi”. ndërsa në Komunë mbeten me qëndrimin e prerë, tabelat nuk do të hiqen edhe përkundër kërcënimeve dhe afateve të MASH-it./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button