RDK: Komuna e Strugës manipulon me prindërit e nxënësve shqiptar

Përmes një reagimi, dega e RDK-së në Strugë ka shprehur keqardhje për siç thonë hipokrizinë e institucioneve në lidhje me arsimin në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptar në fshatin Podgorcë.

“Dega e RDK Strugë në mbledhjen e mbajtur dje shpreh keqardhjen e saj për hipokrizinë e treguar nga ana e institucioneve kompetente në lidhje me Shkollën Fillore ”Goce Dellçev” në fshatin Podgorcë të Strugës, në të cilën shkollë mësimin në gjuhën shqipe e ndjekin 21 fëmijë – nxënës nga klasa e parë e deri në të pestën. Kompetentët e Komunës së Strugës, pasi që e krijuan këtë problem për nevojat e veta të politikës ditore me shprehjen botërisht të njohur të tyre “bo qef”, u premtuan prindërve të fëmijëve që ky problem do zgjidhet shumë shpejt,dhe në favor të tyre, respektivisht këto paralele do të hapen në kuadër të SHF ”Goce Dellçev” në f. Podgorcë të Strugës” – thuhet në reagimin e RDK-së.

Sipas tyre, ky problem mbetet brengë për prindërit e nxënësve, ndërsa zhvendosja në Llabunishtë paraqitet si sukses nga ana e Komunës së Strugës.

“Tani më tre vite këta fëmijë të cilët tani më u rritën dhe prindërit e tyre enden rrugëve nëpër institucionet përkatëse të shtetit, duke filluar nga Kryetari i Komunës (i cili u thotë se problemin e ka zgjedhur, e në fakt aspak nuk është ashtu), Inspektorati i arsimit, Avokati i Popullit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e kështu me rradhë, dhe çeshtja e tyre është ende e pazgjidhur. Në vend që institucionet e lartpërmendura (veçanërisht Kryetari i Komunës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës) të merren me thelbin e problemit, që janë vetë ata, ata në kundërshtim me vullnetin e prindërve të fëmijëve nga f. Podgorcë, këto paralele i derguan në  f. Llabunishtë, që është disa kilometra më larg, dhe këtë gjë përpiqen ta tregojnë si sukses të madh të tyre” – përfundon reagimi i RDK-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button