Nesër bie qeveria?!

Nesër në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është paraparë mbledhje e Komisionit për punë dhe politikë sociale në të cilin mes tjerash, në rend dite do të jetë edhe Propozim Ligji për të drejta të veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë, i njohur në opinion si Ligji për branitellat. Kjo do të jetë edhe mundësia e parë për BDI që të parandalon miratimin e Ligjit për branitellat. BDI mund që të mos votojë rendin e ditës dhe të lëshojë komisionin, po edhe qeverinë. Sipas opozitës, çdo veprim ndryshe nga kjo do të thotë jo korrektësi nga ana e BDI-së.

Imer aliu nga PDSH thekson se ky është momenti i duhur kur BDI duhet të lëshojë qeverinë që të parandalojë miratimin e ligjit, por shprehet skeptik nëse kjo parti do të shfrytëzon mundësinë.

“Ky është momenti i fundit që BDI të lëshon qeverinë. Në këtë drejtim ishte edhe kërkesa jonë që ligji të tërhiqet nga procedura, ose që BDI të tërhiqet nga qeveria. Mirëpo ata janë të shantazhuar gjithandej nga VMRO dhe nuk besoj që do të bëjnë një hap të tillë, dhe do të mundësojnë miratimin e këtij ligji” – tha Aliu.

“Nuk është në rregull që kërcënimet për lëshimin e qeverisë të vinë në shprehje pasi të miratohet ligji. Nëse do të ishte korrekte atëherë BDI duhet të kërcënohet me lëshimin e qeverisë para se ligji të hyjë në procedurë në lexim të parë. BDI duhet që nesër në komision të tërhiqet, të thotë që ne e lëshojmë komisionin, e lëshojmë edhe qeverinë” – thotë Izet Zeqiri, deputet i RDK-së opozitare.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk zbulojnë se si do të veprohet nesër në mbledhjen e Komisionit për punë dhe politikë sociale. Arben Llabunishta, deputet nga kjo parti thotë se është më së miri që të pritet dita e nesërme dhe fillimi i komisionit që të shihet se si do të vepron BDI.

Ndryshe, mos votimi i rendit të ditës dhe bllokimi i ligjit në komision është një nga mundësitë për pengimin e miratimit të ligjit për branitellat, ligj i cili parasheh beneficione për “branitellat”, pjesmarrës në konfliktin e 2001, por jo edhe për ish pjesëtarët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, familjet e civilëve të vrarë dhe plagosur.

Përveç komisionit ekzistojnë edhe mundësi tjera për bllokimin e këtij ligji. Një prej mundësive është dorëzimi i mijëra amendamenteve të cilat do të bllokonin punën e Kuvendit, sepse do të nevoiteshte kohë e gjatë për shqyrtimin dhe kalimin e tyre në komision dhe seancë plenare.

Varianti tjetër është që pasi të shteret diskutimi në seancë plenare, mund që në procedural të kërkohet që për këtë ligj të jep mendim komiteti në mes bashkësive etnike, dhe kryetari i Kuvendit e ka patjetër të jep urdhër që ligji të shkon në komitet. Komiteti përbëhet nga shtatë maqedonas, shtatë shqiptar dhe pesë anëtar të pakicave. Aty ekziston mundësia të bllokohet, nëse anëtarët shqiptar të komitetit nuk marrin pjesë në seancë. Ngjashëm është vepruar edhe me ligjin për vauçerët në shëndetësi, ligj i cili u bllokua në komitet për shkak të kokëfortësisë së VMRO-së që këto vauçerë të mos shënohen në gjuhën shqipe. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button