Shqipëri: Gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Bujar Nishani, mazhoranca dhe opozita kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Pas një beteje tepër të ashpër në zgjedhjet vendore, makineritë elektorale të dy partive kryesore kanë filluar që të mendojnë për maksimalizimin e rezultatit, shkruan Shekulli.
Noka flet para Nishanit

Ndonëse sipas Kodit Zgjedhor përgatitjet fillojnë pas dekretimit të zgjedhjeve, Ministria e Brendshme shprehet se një gjë e tillë ka nisur. Flamur Noka, i cili në zgjedhjet e kaluara ishte sekretar organizativ i PD-së për zgjedhjet, ndërsa tashmë në postin e Ministrit të Brendshëm, deklaron se dikasteri që ai drejton ka nisur përgatitjet për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Kështu, një prej njerëzve kryesorë të PD-së për organizimin s strukturave të kësaj force në të gjithë vendin, shprehet nga posti i tij, se Ministria e Brendshme ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 2013-ës dhe se është vënë në dijeni edhe opozita për çdo projekt-udhëzim të Ministrisë së Brendshme dhe për përgatitjet në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. “Ministria e Brendshme në gjithë këto vite, që pas 2005, ka marrë përgëzimet më të mira nga monitoruesit dhe ju siguroj që do të marrë përgëzimet më të mira me raporte për të gjithë procesin zgjedhor deri në numërimin e votës së fundit. Përgatitjet kanë filluar, PS është në dijeni të plotë të çdo gjëje që ndodh, jemi transparent për gjithë procesin. Janë çuar projekt-udhëzimet pranë PSsë, është kërkuar dhe mendimi i tyre. Opozita për të paralajmëruar humbjen e radhës, mundohet të inskenojë situata të paqena”, thekson Ministri i Brendshëm Flamur Noka.

Strategjia e PS-së

Përballë Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Demokratike, opozita ka filluar punën për atë që ajo e quan “shmangie të manipulimeve me listat e zgjedhësve” dhe për riorganizimin e strukturave të saj. PS ka zhvilluar këto ditë disa mbledhje në selinë e saj me drejtuesit për strategjinë e mbrojtjes së votës më 2013. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se PS do të ngrejë sërish strukturat e saj të një viti më parë, porkëtë herë udhëzimet janë dhënë për një kujdes edhe më të madh. Drejtuesit grupeve, që janë po të njëjtët, kanë filluar që të intensifikojnë takimet me grupet e punës për hartimin e strategjive që do të ndjekin në zgjedhjet e ardhshme. Një nga direktivat lidhet me verifikimin e listave të zgjedhësve në çdo zonë zgjedhore. Në strategjinë e re po tentohet që të përcaktohen hapat e saktë se si do të veprohet ditën e votimit dhe gjatë procesit të numërimit të votave , që ka qenë një nga proceset më delikate të dy zgjedhjeve të fundit në vendin tonë, çka është evidentuar në të gjithë raportet e institucioneve ndërkombëtare. Ndërkohë, Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, shprehet se në 300 ditët e mbetura, Partia Socialiste do të fokusohet në tre drejtime kryesore për hartimin e strategjisë . “Dialogu me shqiptarët, monitorimi i kujdesshëm, por edhe kontributi aktiv për çdo nismë në Kuvend nga grupi i PS-së dhe mobilizimi i plotë i strukturave për përgatitjet zgjedhore”, këto do të jenë shtyllat mbi të cilat do të punohet në 10 muajt e mbetur nga data e zhvillimit të zgjedhjeve. Ngritja e tërë makinerisë elektorale , sipas Sekretarit Organizativ të selisë rozë do të ndikojë në shmangien në parregullsive të zgjedhjeve. “PS duhet të punojë shumë me studimin e listave të zgjedhësve, me përmirësimin e lëvizjes migratore dhe emigratore që ka në vendin tonë për të rregulluar dhe sqaruar problematikën shumë të madhe që ka në hartimin e listave të zonave elektorale”, tha Klosi. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button