May i ka arsyetuar negociatat me opozitën për Brexit-in

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka thënë se është dashur të kontaktojë me partinë Labutriste për t’i dhënë një ofertë për marrëveshjen e largimit nga Bashkimi Evropian, Brexit, në të kundërtën, siç tha, do të përballemi me rreziqet.

Në një deklaratë të shtunën, May tha se zgjidhja e vetme është largimi nga BE-ja me marrëveshje apo qëndrimi në bllok.

Disa konservativë kanë kritikuar kryeministren për bisedimet me laburistët, pas dështimit të saj për Brexit-in tri herë radhazi në Parlament.

Tre ditë bisedime në mes partive përfunduan pa marrëveshje të premten.

Lideri i partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha se ka pritur lëvizje të “vijës së kuqe” por nuk ka “vërejtur asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë”.

Corbyn është nën presionin e deputetëve të tij për të kërkuar një referendum të ri, ose çfarëdo marrëveshje që arrihet me qeverinë, duhet të nënshkruhet nga 80 deputetët që kërkojnë votë publike, transmeton REL.

May tha se pas të gjitha përpjekjeve me fuqinë e saj – për të bindur partinë e saj dhe mbështetësve nga Irlanda veriore – për të miratuar marrëveshjen që kishte arritur me BE-në vitin e kaluar, është dashur të krijojë një qasje të re ndaj situatës.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër përpos komunikimit me ligjvënësit”, duke shtuar se të dy partitë ishin pajtuar për nevojën e mbrojtjes së fuqisë punëtore dhe ndalesës së lëvizjes së lirë.

“Sa ma shumë që zgjatet, aq më shumë do të jemi në rrezik të moslargimit nga BE-ja kurrë”, shtoi May.

Mbretëria e Bashkuar ka afatin e fundit më 12 prill për tu larguar nga Bashkimi Evropian, por ende nuk është arritur marrëveshje në Parlament.

Këtë javë, May do të kërkojë nga Brukseli zgjatjen e afatit deri më 30 qershor, me mundësi të vendimmarrjes edhe para këtij afati nëse arrihet ndonjë marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button