Shqipëri, Nishani thërret deputetët të plotësojnë 12 kushtet para raportit të KE-së

Me rastin e çeljes së sesionit të shtatë të legjislaturës së tetëmbëdhjetë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u ka përcjell një mesazh deputetëve. Nishani shprehet se në Shqipëri “Parlamenti është zemra e demokracisë” dhe vendi i debatit, konkurrencës, paraqitjes së pikëpamjeve, alternativave, por dhe i konsensusit e vendimmarrjes”.

Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Nishani u bën thirrje deputetëve që të kontribuojnë në marrjen e statusit kandidat për BE. “Përpara nesh kemi sfida dhe detyra të rëndësishme. Vullneti dhe dëshira për ta pasur vendin tonë një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kërkon kontribute reale”, shprehet presidenti Nishani.

“Në këtë kuadër, nxis forcat politike të punojnë bashkarisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e BE-së, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë”.

Gjithashtu, Nishani, në këtë kuadër u ka kërkuar deputetëve të miratojnë kufizimin e imunitetit “si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës”.

Duke nënvizuar se “ne kemi në dorë fatin tonë”, presidenti shprehet “shpresëplotë” për gjetjen e konsensusit që do t’i hapte rrugën një procesi të rregull zgjedhor në vitin 2013. “Konsensusi i dëshiruar politik, dialogu, toleranca dhe bashkëpunimi i synuar do t’i hapin rrugë një procesi normal zgjedhor ku parashikohet të hyjë vendi ynë në vitin e ardhshëm”, përfundon Nishani mesazhin për deputetët./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button