RDK: BDI sajon kriza për rritje të rejtingut

Rilindja Demokratike Kombëtare sot përmes një kumtese për media shpreh miratimin për ndërrimin e tabelave të katër shkollave në Shkup, por edhe zhgënjimin siç thuhet për vazhdimin e mos ndryshimit të emrave të tyre, të cilat do të mbeten joshqiptare në dokumentet e nxënësve, dokumentet e shkollave dhe në aktet tjera zyrtare.

“Kjo është edhe një dëshmi e injorancës juridike të shprehur në vazhdimësi nga partia shqiptare në pushtet, për të cilën RDK ka reaguar edhe më parë. Vet ligji i miratuar nga BDI në legjislacionin 2002-2006 është pengesa kryesore për ndryshimin e emrave të shkollave dhe institucioneve tjera. Në vend që në atë kohë, së pari të insistohet në riemërtimin e objekteve ekzistuese në përputhje me përbërjen e popullatës dhe parimi i Badinterit të hyjë në fuqi për objektet e reja në të ardhmen, BDI ka miratuar një ligj që e bënte fakt të kryer diskriminimin e emërtimeve shqiptare dhe e vështirëson shumë ndryshimin e gjendjes në terren, përmes mekanizmave bllokuese të palës joshqiptare” – thuhet në kumtesën e RDK-së.

RDK tërheq vërejtjen se të drejtat e shqiptarëve nuk mbrohen me spektakle për tabelat dhe shitje mendsh për patriotizëm banal, por me miratimin e ligjeve që do të mbronin të drejtat e shqiptarëve, gjë që nuk po ndodh në realitet.

“RDK shpreh gjithashtu revoltën me veprimet e zyrtarëve të BDI-së, të cilët për tre vjet i mashtruan 21 nxënës në Podgorcë të Strugës se gjoja do t’ju lejohet të mësojnë legalisht në gjuhën shqipe në fshatin e tyre, ndërkohë që tani do t’i transferojnë ata të mësojnë  në një fshat tjetër, duke ua humbur tre vjet mësimi, të cilat nuk do tu njihen fare” – thonë nga RDK.

Sipas tyre bëhet fjalë për zënka të rrejshme të dakorduara mes VMRO-së dhe BDI-së me qëllim të rritjes së rejtingut të tyre.

“RDK i bën thirrje popullit shqiptar në Maqedoni që ta kuptojë se zënkat e rrejshme të kohëve të fundit, janë marrëveshje mes VMRO-së dhe BDI-së për ti mashtruar shqiptarët me ngjarje prej të cilave shqiptarët nuk fitojnë asgjë. Zhurma për kurorën e luleve në Sllupçan, loja e koordinuar mes VMRO dhe BDI lidhur me ligjin për të ashtuquajturit ‘branitela’ dhe së fundmi zhurma për disa tabela shkollash, janë një tentativë e dakorduar e BDI-së me VMRO-në për ta rritur rejtingun e tyre, por duke i ngopur shqiptarët sërish me lugën bosh. Në mungesë të investimeve dhe punësimit të shqiptarëve, në kohën e rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe në prani të vazhdimit të diskriminimit institucional të shqiptarëve, mashtrimi për gjoja zënkat me VMRO-në, është zgjedhur tani nga BDI-ja, si mekanizëm për t’ua marrë sërish votat shqiptarëve në zgjedhje” – qëndron në reagimin e RDK-së./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button