Populizmi i Gruevskit, ndalon pajtimin me Greqinë

Deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, nuk lënë hapësirë për të besuar se në periudhën që vjen do të ketë epilog pozitiv çështja dy-dekadëshe e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. 

“Duam të bëjmë shtet të fuqishëm, të mbarojë historia e çështjes maqedonase dhe të vuloset nacionaliteti, gjuha dhe identiteti ynë” këtë e tha Gruevski në Toronto, ditë më parë.

Ndërkaq, për një intervistë të VOA ai është shprehur se “Ka shumë kompani që thonë se pikërisht u pëlqen që nuk jemi anëtare të BE-së dhe NATO-s,për shkak se e dijnë se me hyrjen në BE do të rritet konkurrenca, do të ketë interesim më të madh, dhe për to nuk do të jetë aq atraktive që të investohet me shpenzime të ulta” ka thënë Gruevski.

Njohësit e rrethanave diplomatike shprehen se kryeministri konkretisht nuk punon në zgjidhjen e kontestit sepse i konvenon të ruajë populizmin para popullit të tij ngaqë ashtu fiton simpatinë e tyre. Ai madje shprehet tejet anti-europian nëse analizohen në thelb veprat e tij, theksojnë analistët.

“Gruevski është konfuz sepse fillimisht çështjet nacionale dhe ajo e identitetit nuk janë çështje të cilat mund të mbyllen me vendime administrative po janë çështje e ndjenjës, ndjenja me të cilën jeni rritur dhe me të cilët identifikohemi. Në Maqedoni gabimisht politikanët çështjen e identitetit e lidhin me veprime administrative. Pika e dytë e cila më bën konfuz është definimi i shtetit të fortë, sipas mua shtet i fortë është ai juridik i së drejtës ku institucionet janë të forta e jo subjekti politik apo qeveria sepse kjo e fundit është kalimtare ndërsa institucionet janë ato që duhet të zhvillohen dhe forcohen, mos varen nga subjektet politike dhe qeveria” thotë Albert Musliu.

Ai thekson se do të jetë shumë e vështirë që të zgjidhet çështja e emrit edhe për shkak të situatës së vështirë ekonomike në Greqi kurse diplomacia e vendit duhet të shfrytëzojë kanalet diplomatike për tu takuar me to, jo mediet.

“Shpresoj që ne këtë fazë parazgjedhore çështja e emrit mos të përdoret për poenë politik si ka ndodhur deri më tani” shprehet Musliu.

Për ish diplomatin Denko Malevski deklaratat mbeten vetën më sfond të retorikës, sepse realisht duhet treguar si do të veprohet më tej për të dalë nga qorrsokaku që gjendet vendi.
 “Problemi mbetet në atë se si të realizohet e thëna e parë, respektivisht të ndërtojmë shtet të fuqishëm ekonomik dhe e dyta si ti mbyllim të gjitha problemet me fqinjët tonë. Këtë duhet ta sqarojë më mirë kryeministri dhe njerëzit përreth tij” deklaron Malevski.

Ndërkaq, analisti Ismet Ramadani thotë se konceptin e veprimit kryeministri e bazon në demonstrimin e forcës:  si nacionalist maqedonas që në forma të ndryshme mundohet ta demonstrojë kundër shqiptarëve , njashtu dhe duke treguar forcën e tij politike se atij nuk i bëhet vonë se ç’thotë perëndimi . 

“Deklaratat që i jep në diasporë i bazon në faktin se ato janë mjaftë nacionalistë dhe nostalgjikë dhe ka mbështetje të fortë, në një mënyrë këtë pozicion të Gruevskit ata e mbështesin fuqishëm dhe kështu ai është i dehur me këtë përkrahje dhe mendon se kështu do ta demonstron forcën duke mos pasur opozitë ti rijë karshi” thotë Ramadani.

Ai është shprehur i bindur se shumë shpejtë do bjerë forca e tij politike si një kullë letrash sepse edhe politika shqiptare definitivisht do t’ia jep atij grushtin pas rastit të Sllupçanit duke u ndihmuar opozita maqedonase që është më progresive nga BDI. 

“Me deklarimet e veta ka krijuar situatë politike që asnjëherë mos të gjendet zgjidhje për çështjen e emrit me Greqinë, do të mundohet të mbetet në pushtet edhe duke mos e zgjidhur emrin, por politika ndërkombëtare këtë mënyrë të qeverisjes së tij edhe shumë nuk mundet ta durojë” thekson Ramadani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button