Të hënën tre kandidatët presidencial do ta fillojnë fushatën

Të hënën, më 1 prill, Gordana Siljanovska Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka e fillojnë fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale, transmeton Lokalno.mk

Siljanovska-Davkova është kandidati presidencial i VMRO-DPMNE dhe koalicionit, Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe koalicionit, dhe Blerim Reka i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të zgjasë deri më 19 prill, pas së cilës do fillojë heshtja zgjedhore 24 orëshe, përpara ditës së votimit.

Sipas njoftimeve nga selia zgjedhore, kandidatët do të vizitojnë pothuajse të gjitha vendbanimet, do të kenë takime me qytetarë dhe mitingje në qytetet e mëdha. Premtojnë një fushate paqësore dhe të ndershme.

Në pritje të fillimit zyrtar të garës presidenciale, komuniteti ndërkombëtar bëri apel për zgjedhje të rregullta për kandidatët, partitë politike dhe qytetarët, zyrtarët shtetërorë dhe KSHZ.

Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale është caktuar për në 21 prill dhe i dyti do të mbahet më 5 maj.

Presidentin e ri do të mund ta zgjedhin 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në Listën Zgjedhore, të cilën KShZ e vërtetoi dje në mbledhje.

Në zgjedhjet presidenciale, të drejtën e votës jashtë vendit do ta mund ta realizojnë 1.782 qytetarë në 32 përfaqësi konsullore diplomatike të RMV jashtë.

Sipas KSHZ-së, në fletëvotim Reka do të renditet numër një, Siljanovska-Davkova nën numrin dy dhe Pendarovski numër tre.

Sipas ligjeve të Maqedonisë së Veriut, kandidati presidencial mund të fitojë në raundin e parë nëse fiton mbi 50% të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve. Përndryshe, një raund i dytë do të mbahet më 5 maj, në të cilin dy kandidatët me më shumë vota nga raundi i parë do të konkurrojnë. Pjesëmarrja në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40 për qind që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Sipas Kushtetutës, kandidati presidencial duhet të jetë mbi 40 vjeç dhe të jetë rezident i shtetit për të paktën 10 nga 15 vitet e fundit. Një mandat presidencial është pesë vjet.

Më 21 prill, në vend, përveç zgjedhjeve presidenciale, do të mbahen zgjedhje të parakohshme për kryetarët e komunave të Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button