5 kilogram drogë kapen në Shkodër

Policia e Shkodrës sekuestroi 5 kilogram drogë të llojit heroinë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. 

Sipas informacioneve të para, droga ishte e paketuar dhe e fshehur në një automjet dhe po përpiqej të trafikohej matanë kufirit, me dyshime për në tregun europian.

Nuk bëhet publik emri i poseduesit të lëndës narkotike ndërkohë që kanë nisur procedurat përkatëse për ngritjen e akuzave ndaj tij.

Ndërkohë, në tre operacione të ndryshme anti-drogë gjatë mëngjesit të së premtes u arrestuan e katër shtetas dhe u sekuestrua e qindra kilogramëve lëndë narkotike e llojit kanabis. 

Në një kontroll rutinë në Durrës, në një furgon që po imbarkohej në një traget në Itali, u zbulua një sasi prej 180 kilogramësh hashash, të paketuar dhe të fshehur me kujdes. Lënda narkotike ndodhej në kamionin me targa AA 057 EU dhe në pranga u vendos drejtuesi i mjetit, shtetasi P.I., nga Vlora.

Dy operacionet e tjera u zhvilluan në rrethin e Gjirokastrës, me forcat e rendit që vendosën fillimisht në pranga shtetasit Kostandin Kasneci dhe Sotir Kristani, pasi u zbulua se ata kultivonin kanabis në parcelën e tyre të tokës në fshatin Zagori. Në total, të arrestuarit kishin mbjellë 147 rrënjë kanabis, të shkatërruara nga policia.

Paralelisht, në fshatin Hormovë, u bë i mundur sekuestrimi i 75 kilogramëve hashash, me destinacion Greqinë.Njëri prej dy transportuesve, 43-vjeçari Landi Zoi u prangos, ndërsa tjetri arriti të arratisej dhe është shpallur në kërkim nga policia. /T.CH

Lajme të ngjashme

Back to top button