BDI ende kokëfortë, kriza drejt epilogut?

Kriza mes partnerëve qeveritar sa vjen e thellohet. Zhvillimet e periudhës së fundit, lufta mediale mes partnerëve të koalicionit nxjerr në pah dallime gjithnjë e më të mëdha mes dy partive qeveritare, një luftë të ftohtë për pozicionim. Pas Sllupçanit, Ligji për branitellat, përplasjet mes krerëve të ministrisë së mbrojtjes për përgjegjësinë për rastin në Sllupçan, tani vjen riemërtimi i shkollave si mollë sherri mes dy partnerëve të koalicionit. Edhe përkundër kërcënimeve nga ministria e arsimit dhe shkencës, nga BDI duken të vendosur që të çojnë në fund këtë proces.

“Rezistencë kishte edhe për Marrëveshjen e Ohrit, edhe për USHTnë, edhe për ndarjen teritoriale dhe decentralizimin, edhe për flamurin dhe gjuhën, edhe për Skënderbeun, edhe për Sllupçanin, do të ketë edhe për riemërtimin e institucioneve dhe rrugëve. Por, procesi i realizimit të barabarësisë, mirëbesimit dhe pajtimit, të paracaktuara me Marrëveshjen e Ohrit, është i pandalshëm dhe gjithësesi në të mirën e të gjithë qytetarëve si dhe të ardhmërisë së përbashkët të këtij vendi” – thotë Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Analisti Ibrahim Mehmeti thekson thellimin e dallimeve mes partnerëve të koalicionit. Sipas tij, kjo krizë shumë shpejtë duhet të merr epilogun e vet, duke parë qëndrimin e BDI-së për ligjin për branitellat, i cili në periudhën në vazhdim duhet të del para deputetëve.

“Nëse i përcjellim deklaratat e fundit që vijnë nga dy partitë e koalicionit qeveritar, shohim se edhe BDI edhe VMRO deklarojnë se koalicioni funksionon, qeveria punon në mënyrë të rregullt dhe se gjithçka është ashtu si duhet. Por nëse e shohim atë që ndodh periudhën e fundit, kuptojmë se në fakt koalicioni është në krizë sepse komunikimi ndërmjet tyre është jo i mirë, por nëse shohim edhe më gjërë, atë që citohet në opinion, shohim se vërtet po thellohet ky dallim në mes dy botëkuptimeve rreth ngjarjeve të fundit. Nëse u përmbahen fjalëve të tyre, atëherë shumë shpejtë do të shohim se për çfarë bëhet fjalë, dhe kjo gjendje do të ketë epilogun e vet” – thotë Mehmeti.

Nga ana tjetër, ish ambasadori Alajdin Demiri mendon se e gjithë kjo krizë dhe këto çështje tani të hapura kanë vetëm një epilog të mundshëm: zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjedhjet janë të pashmangshme sepse as BDI, e as VMRO nuk kanë më hapësirë për kthim prapa, sepse një gjë e tillë do ju dëmtontë seriozisht pozitat para elektoratit.

“Të gjitha çështjet që tani krijuan krizën kanë qenë tema të hapura prej nga kohësh, por janë aktualizuar tani, që do të thotë se dy partitë e kanë parë të arsyeshme që tani kjo krizë të provohet. Do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, natyrisht se BDI nuk guxon të lëshojë pe, ashtu siç nuk guxon as VMRO” – thotë Demiri.

Çështja më serioze për të cilën përplasen partnerët e koalicionit është Ligji për branitellat dhe mos përfshirja në të e ish ushtarëve të UÇK-së. Ky propozim ligj do të sillet në seancë plenare para deputetëve më 10 shtator, kur edhe pritet që shumë çka rreth mbijetimit të koalicionit qeveritar të qartësohet./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button