Fati i PSP-së, partitë opozitare shqiptare kanë 5 kërkesa (VIDEO)

Prokuroria Speciale Publike të funksionojë si institucion i pavarur me mandat të pa kufizuar dhe “bombat” (përgjimet) të përdoren si tregues dhe dëshmi gjyqësore, janë dy kërkesat e përbashkëta të partive opozitare shqiptare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH), që u janë parashtruar kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska sot në takimin me temë diskutimi Ligji për Prokurori Publike me theks të veçantë në fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), transmeton Portalb.mk.

Nëse nuk pranohen kërkesat, Besa nuk ka qëndrim se a do ta kushtëzojë votën “për” për miratim të Ligjit të Prokurorisë, ndërkaq ASH-ja është decide: “Për shtetin e së drejtës, nëse nuk pranohen kërkesat, do ta kushëzojmë miratimin e Ligjit”.

Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se kërkesë e tyre është që PSP-ja të funskionojë siç ka funksionuar deri tash, dhe “bombat” të përdoren si tregues dhe dëshmi në raste gjyqësore.

“Ne si Lëvizje BESA e përkrahim funksionimin e PSP-së me gjithë kapacitetin e saj, këtu dua të ngrit faktin e vlefshmërisë së përgjimet, dhe ti përmbyllë të gjitha lëndët që dalin nga përgjimet. I dhamë propozimet tona, komfor marrëveshjes, që amendamentet të jenë zgjidhje. Synojmë që bombat të përdoret si dëshmi dhe tregues”, tha Kasami.

Sipas liderit të ASH-së, Ziadin Sela, funksionimi i mëtutjeshëm me mandat të pakufizuar dhe përdorimi i “bombave” si dëshmi gjyqësore, ka të bëj me atë se PSP-ja ende nuk e ka përmbushur qëllimin për të cilin është formuar. Siç tha ai “askush nuk ka parë se janë kthyer paratë e vjedhura nga ish partnerët qeveritar”.

“Vlerësojmë se ky trup nuk e ka kryer qëllimin për të cilin është themeluar, dhe vlerësojmë se i njëjti duhet të vazhdojë me ndryshime të ligjit, duke iu zgjatur mandati, së paku deri në përmbylljen e detyrës për të cilën është formuar”, tha Sela, i cili duke sqaruar më tej, solli shembullin e PSP-së në Ukrainë, e cila duke “procesuar mbi 600 mijë përgjime, arriti të fus në burg rreth 25 funksionarë shtetërorë”.

ASH-ja ka edhe tri kërkesa të tjera:

  • Themelimi i Gjykatës Speciale e cila do të ankimonte rastet që do të dilnin nga PSP-ja;
  • Në përbërjen e Këshillit të Prokrurorëve të mos ketë ish ministra dhe ish drejtorë;
  • Harmonizim të Ligjit të Prokurorisë me dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

LEXO: Bashkimi Evropian me reagim ndaj partive të Maqedonisë së Veriut për Ligjin e Prokurorisë Speciale Publike

Në lidhje me procesin e bisedimeve për Ligjin e Prokurorisë Publike dhe fatin e PSP-së, është deklaruar edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV ku thonë: “Të përkujtohemi se PSP-ja u themelua nga partitë më të mëdha politike nëpërmjet Marrëveshjes së Përzhinos, që të sigurojë llogaridhënie për ndjekjen e paligjshme të komunikimeve dhe përmbajtjes së tyre. PSP-ja ka dhënë kontribut të rëndësishëm për të ri-themeluar llogaridhënien dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që PSP-ja të vazhdojë me ndjekjen e personave përgjegjës në mënyrë profesionale dhe të pavarur”.

Ndërkaq nënkryetari i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Muhamed Zekiri ka deklaruar se shteti do të gjejë mënyrë për ta miratuar Ligjin për Prokurori Publike.

“Ligji për Prokurori Publike është kyç për shtetin e së drejtës, por edhe hap serioz drejt integrimet dhe nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian”, tha Zekiri në emisionin “Dhe çfarë tash?” në kanalin e parë të Radio Televizionit të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në emisionin “Top Tema”, dje e ka përsëritur qëndrimin e tij, se procesi i sigurimit të shumicës së nevojshme për miratim të Ligjit të Prokurorisë Publike do të zhvillohet në dy trajektore, paralelisht takime do të realizohen me opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE-në dhe opozitën shqiptare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.

Por paraprakisht nga Lëvizja BESA janë shprehur me rezervë sa i takon votës “për”, sepse sipas tyre ata nuk janë gomë rezervë e Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button