Kur bëjnë zhurmë zorrët e barkut, nuk dëgjohet zëri i arsyes

Që nga krijimi i njerëzimit është bërë diferencimi i specieve të gjalla në dy grupe, ne aspektin e a.q. ‘homo sapiens’ dhe të tjerët gjegjësisht kafshët. Vetëdijesimi për ekzistencën e arsyes e ka veçuar njeriun nga speciet tjera deri në atë masë sa njeriu ka arritur me kalimin e kohës t’i mbizotërojë kafshët duke i zbutur ata dhe duke i përdorur për mbijetesën e vet, si në bujqësi dhe blegtori.

Kultivimi i mendjes te njerëzit nëpërmjet të sistemit të edukimit e ka bërë atë aq të fuqishëm por njëkohësisht edhe të rrezikshëm, sa që me shpikjen e armëve ai e ka ngritur dorën edhe ndaj pjesëtarit të species se vet, që nga pamja fizike ka qenë më i dobët, për ta skllavëruar edhe atë, duke e shfrytëzuar si force fizike në zotërim gjegjësisht si mall për shitje, pa marre parasysh përkatësinë e fisit, apo gjuhës, fesë apo prejardhjes.

Kjo vetëdije mbi prevalencën e njeriut ndaj të tjerëve ka evoluuar deri në atë shkallë, ku njerëz të përkatësive të ndryshme, racionale, fetare apo kombëtare kanë rënë në përfundimin se ata e kanë të drejtën natyrore të supremacisë së forcës, që të dominojnë me të tjerët, apo të zhdukin popuj të tërë, duke e konsideruar ekzistencën e tyre si të dëmshme për njerëzimin dhe për rruzullin tokësor.

Thënia e famshme latine: “Homo hominum lupus est”, nuk e ka humbur kuptimin e vet edhe sot, me mijëra vite më vonë, por vetëm kanë ndryshuar dhe evoluuar nuancat e praktikimit të saj. Se njeriu është ujku i njeriut më së miri mund ta vërtetojmë në historinë e luftërave të Ballkanit, ku akoma ekzistojnë popuj që mendojnë se e kanë të drejtën hyjnore të sundojnë me të tjerët, apo të urrejnë të tjerët që flasin dhe besojnë ndryshe.

Instinkti i njeriut në fakt nuk dallon shume nga instinkti shtazarak për mbijetesë, por nëse kafsha e ka këtë instinkt të lindur vetëm për të mbijetuar kundrejt kafshëve të tjera, instinkti i njeriut ka evoluuar nga instinkti i mbijetesës në atë të dominimit dhe të sundimit të të tjerëve.

Vetëdija mbi aftësinë e njohjes së natyrës, ligjeve të saj, por edhe për domosdoshmërinë e ekzistencës së një fuqie madhore mbi të gjitha qeniet e gjalla por edhe tërë kozmosin, e kanë trazuar besimin e njerëzve, se nuk janë zotëruesit e vërtetë të natyrës dhe globit, por që ekziston edhe mbi ta një fuqi më e madhe që zotëron me gjithçka dhe që i ka krijuar të gjitha qeniet e gjalla, por që të gjitha janë të detyruara që herët ose vonë të vdesin dhe të largohen nga kjo botë.

Frika dhe respekti ndaj kësaj fuqie madhore ka rezultuar me krijimin e feve të ndryshme që kanë për qëllim të përbashkët, të krijojnë rend dhe të sundojë ligji ndërmjet njerëzve dhe të kontrollohet vetëdija e supremacise apo ligjit të më të fortit, pra që secila krijesë njerëzore të ketë të drejtën e jetës në këtë botë, dhe se dikush tjetër vendos për secilin prej nesh kur do të largohet nga kjo botë, pra që secili individ apo popull, sado i fuqishëm fizikisht apo ushtarakisht të jetë dhe të ketë qenë, nuk mund të arrijë të sundojë me ligjet e natyrës, por herët apo vonë do të duhet t’u bindet këtyre ligjeve.

Dalëngadalë te gjithë njerëzit dhe kombet u bindën se ata nuk janë të vetëm në botë dhe secili i ka të drejtën e vet për një jetesë modeste, dhe forca individuale do te matet vetëm me aftësinë dhe meritën e tij për të pasur sukses në jetë, falë punës fizike por edhe zgjuarsisë se tij psikike apo mendore.

Gara më e madhe tani u zhvendos në një stadium tjetër, më pak të rrezikshëm fizikisht, por më të rafinuar intelektualisht. Gara e kultivimit të dijes kundrejt punës fizike mori përmasa kolosale. Teknologjia e prodhimit të objekteve që do t’i vinte në përdorimin e njeriut, ishte me humane sepse njeriu nuk rrezikohej më fizikisht nga tjetri, por çdo gjë varej nga merita e tij e lapsit si fuqia dhe arma më e fuqishme e njerëzimit. Shpikjet e mjeteve të ndryshme të qarkullimit, që nga rrota deri te anijet dhe fluturaket më të mëdha te sodit, e bënë afrimin e distancave edhe më të largëta në rruzullin tokësor, dhe ky është një terren i ri i dominimit dhe mbisundimit ndërmjet njerëzve.

Përparësitë e posedimit të këtyre mjeteve moderne i ndryshuan edhe pikëpamjet dhe botëkuptimet e njerëzve mbi jetën, të cilët tani nuk do të kënaqen vetëm me mbijetesën në aspektin e sigurimit të ushqimit për barkun, por edhe të sigurimit të ushqimit shpirtëror, të nxënies së dijës dhe në shijimin e fryteve të saj.

Tani diferenca ndërmjet njerëzve konsiston në bërjen e zgjedhjes ndërmjet këtyre dy opsioneve. Dikush do ta zgjedhi të parën, tjetri të dytën. I pari do të bëjë kultivimin e trurit, që do të rezultojë me shpikjen dhe krijimin praktik të këtyre shpikjeve, i dytë do të zgjedhë të kultivojë instinktin e mbijetesës, të kultivojë nevojat e tij të ekzistencës materiale, të mbushjes së barkut dhe të shijimit të fryteve të shpikjeve të të tjerëve.

Disa kombe më pak të zhvilluar teknologjikisht, me apo pa fajin e tyre, që nuk do të investojnë në kultivimin e trurit, nëpërmjet të shkollimit teknologjik të pjesëtarëve të tyre, do të mbeten pas në këtë garë të pamëshirshme, krahasuar me kombet që kanë pasur fatin të avancojnë më herët në këtë drejtim.

Nëse më parë dyndjet e popujve kanë pasur për qëllim gjetjen e tokës më pjellore dhe hapësirës me kushte më të mira për jetesë, sot këto dyndje bëhen për arsye të ngjashme, që emëruesin e përbashkët e kanë, gjetjen e kushteve më të mira për jetesë. Dhe për fat të keq, këto kushte nuk i kërkojnë vetëm nevojtaret e krahut të punës fizike, por edhe ata që kanë investuar në nxënien e dijes, dhe janë ne pamundësi për materializimit praktik të mundit të tyre.

Ky është fundja edhe shkaku i migrimeve moderne, pa marrë parasysh rajonin apo përkatësinë identitare. Të gjithe ata janë në kërkim të kushteve të mira të jetesës, sepse ato nuk i shohin më në vendin dhe atdheun ku jetojnë. Kur bëjnë zhurmë zorrët e barkut, nuk dëgjohet zëri i arsyes. Kur fëmija të qan për ushqim dhe nuk ia siguron dot, as edhe veshmbathje dhe rritje të shëndoshë në vendin ku jeton, hesht idealizmi dhe shuhen ëndrrat fillestare për fuqizimin e kombit dhe vendit tënd të lindjes. Kur e sheh tjetrin me kushte më të mira për jetesë, pa marre parasysh meritat personale apo të tjera për një standard të tillë të paarritshëm, sidomos në një vend që nuk siguron kushte për konkurrencë të barabartë, ku nuk vjen në shprehje aftësia personale, por afërsia familjare dhe grupore, kur nuk vlerësohet mendimi i dijetarit, por i hajdutit dhe batakçiut, pra kur e sheh se nuk funksionon shteti dhe ligji, kjo për fat të keq, e ndihmon më shumë vendimmarrjen e dhimbshme për largimin nga vendlindja, në kompensim të një jete ndryshe, ndoshta më të lodhshme fizikisht, por më të vlerësuar dhe paguar materialisht.

Dështimi i shtetit dhe mungesa e sundimit të ligjit për disa është ndoshta vetëm justifikim, por faji i shtetit është që ia mundëson atij këtë justifikim, sepse kjo vetëm ua lehtëson atyre marrjen e këtij vendimi. Prandaj shteti duhet të fillojë të mendojë seriozisht për këtë, nëse nuk dëshiron të mbetet pa banorë, konsumatorë por edhe punëtorë krahu.

Hapi i pare që duhet marrë është rritja e njëanshme e dyfishtë e pagave, pa marrë parasysh koston buxhetore, dhe sigurimi i kushteve për trajtim dhe gëre të barabartë ekonomike dhe shoqërore për të gjithë, sa nuk është vonë për të gjithë….!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button