Gjoba evropiane, paga maqedonase

Gjobat e larta në kushte krize mbeten një prej problemeve më serioze të bizneseve në Maqedoni. Në përgjithësi gjobat janë larg proporcionit me standardin e jetesës në Maqedoni, dhe shpesh arrijnë prej tre deri në pesë paga mesatare për persona fizik, dhe shumë më tepër për persona juridik.

Opozita përmes një Propozim Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për regjistrim të pagesave të gatshme kërkon ulje të gjobave të parapara, gjegjësisht prej 2.500 euro në 1.000 euro për subjekte juridike, prej 750 euro në 500 euro për personin përgjegjës në subjektin juridik, ndërsa gjobat për personat fizikë të ulen prej 750 euro në 300 euro.

Me këto gjoba të larta qeveria synon mbushjen e arkës shtetërore në dëm të qytetarëve, mendon deputeti i RDK-së Izet Zeqiri, dhe sipas tij, me këto gjoba prishet biznes klima dhe ambienti në Maqedoni.

“Nuk do mend që të vërehet se gjobat ekzistuese për bizneset janë tepër të larta dhe nuk përshtaten me standardin e qytetarëve. Përmes këtyre gjobave qeveria nuk synon të arrin disiplinimin e bizneseve por mbushjen e arkës shtetërore përmes dënimeve dhe gjobave. Jorastësisht në buxhetin e shtetit janë paraparë 32.5 milionë euro të cilat duhet të realizohen nga dënimet dhe gjobat. Qëllimi i këtyre dënimeve është frikësimi i bizneseve dhe me to nuk krijohet ambient i favorshëm për zhvillimin e tyre” – thotë Zeqiri.

Përveç mbushjes së arkës shtetërore në kryerjen e dënimeve ai akuzon edhe për qasje selektive gjatë realizimit të dënimeve.

“Askush nuk mund të më bind se nuk ka qasje selektive në mbylljen e bizneseve dhe realizimin e inspeksioneve të ndryshme. Ne kemi shumë raste në Tetovë ku një objekti i që nuk është i proviniencës politike të BDI-së i mbyllet biznesi, ndërsa objektit tjetër  që ka forcë dhe ndikim politik nuk mund t’ia mbyllin biznesin”- deklaroi Zeqiri.

Nga ana tjetër, zv/ministri i finansave, Nedim Ramizi, thotë se shuma të cilin opozita e paraqet si para me të cilat mbushet buxheti nga gjobat është joreale.

“Nuk është real numri të cilin opozita e paraqet si shumë me të cilin mbushet buxheti nga gjobat, sepse nëse e shohim buxhetin, paragrafi ku parashikohen të hyrat nga gjobat është bashkë edhe me pagesat e taksave administrative për pasaporta, letërnjoftime dhe dokumente tjera” – thotë Ramizi.

Sipas tij, Drejtoria për të hyrat publike ka “mëshirë” për qytetarët dhe bizneset, duke mos i dënuar ato menjëherë.

“Në praktikë, Drejtoria për të hyrat publike nuk shkon direkt me dënimin, por zakonisht ka paralajmërime dhe lëshime në herën e parë”- thotë Ramizi.

Në bazë të një raporti të Bankës Popullore, 133.944 xhirollogari janë të bllokuara deri në gusht të këtij viti, ose rreth 34.000 më shumë se vitin e kaluar. Sipas ekspertëve, më shumë se 60% e bllokimeve vinë si rezultat i gjobave të pa paguara./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button