2700 studentë të ri në USHT, afati i aplikimit zgjatet

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës në këtë afat numri i përgjithshëm i studentëve të pranuar në fakultetet dhe programet studimore është 2619 studentë, ose janë plotësuar 51% e vendeve të parapara për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2012/2013.

Me kuotë shtetërore janë pranuar gjithsej 2074 studentë; me vetëfinancim 183 studentë; me korrespodencë 111studentë, shtetas të huaj 161 studentë dhe me kuota të veçanta 90 studentë. 

“Të gjithë kandidatët të cilët janë pranuar në afatin e parë të regjistrimit (afatin e gushtit) në ndonjërin nga programet studimore të fakulteteve, apo studimeve të disperzuara, se regjistrimin duhet ta kryejnë deri më datën 31.08.2012, në orën 16:30, në sportelet e fakulteteve përkatëse, në të kundërtën do ta humbin të drejtën e studimit dhe do të konsiderohen se kanë hequr dorë nga regjistrimi, ndërsa vendet e tyre do të shpallen si vende të lira në konkursin e ardhshëm, për afatin e dytë të regjistrimit të studentëve për këtë vit akademik”, theksoi prorektori për arsim i USHT-së, Prof. dr. Fehari Ramadani.

Ai, po ashtu bëri të ditur se në fakultetet dhe programet studimore të USHT-së në të cilët gjatë afatit të parë të regjistrimit nuk është plotësuar numri i nevojshëm i studentëve, nga data 5 deri më 7 shtator do të organizohet afati i dytë për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2012/13. Me këtë rast edhe kushtet e regjistrimit, pritet të jenë më fleksibile.

“Në afatin e dytë  të regjistrimit, në fakultetet në të cilët do të ketë vende të lira, të drejtë konkurrimi do të kenë kandidatët me maturë shtetërore, kandidatët me shkollim të mesëm, përpara se të implementohet matura shtetërore, kandidatët me maturë ndërkombëtare,  kandidatët të cilët i janë nënshtruar dhe me sukses e kanë kaluar maturën shtetërore, por kanë zgjedhur lëndë interne të cilat nuk janë kompatibile me lëndët të cilat figurojnë në listën sipas konkursit, si dhe kandidatët të cilët me sukses e kanë kaluar maturën shkollore”, tha Ramadani. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button