IOM ka kërkuar 207 milionë dollarë për refugjatët sirianë

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar 207 milionë dollarë në mënyrë që të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për refugjatët në Siri dhe në rajon, ku konflikti hyn në vitin e nëntë, transmeton Anadolu Agency (AA).

IOM njoftoi se fondet do t’i mundësojnë organizatës që këtë vit t’i ndihmojë mbi 1.8 milionë njerëz në Siri dhe në vendet fqinje përmes Planit të Reagimit Humanitar për Sirinë dhe Planit Rajonal të Refugjatëve në Siri.

IOM-i me këto fonde të siguruara nga apeli i këtij viti, të prekurve do t’u ofrojë strehim, menaxhim të vendqëndrimit, mbrojtje dhe mbështetje psikologjike si dhe elementet kyçe për lehtësimin e jetesës, si batanije, kuzhina, llampa diellore dhe materiale të tjera.

“IOM ka qenë e palëkundur në angazhimin e saj për të ndihmuar popullatën civile siriane, e cila ende lufton për të tejkaluar ndikimin e konfliktit”, tha Mohammed Abdiker, drejtor i operacioneve dhe emergjencave të IOM-it.

Edhe pse perspektivat afatshkurte për kthim në një gjendje normale mbeten të zymta, tha Abdiker, “komuniteti ndërkombëtar duhet të mbetet i përqendruar në shpëtimin e jetëve dhe në mbështetje të vendeve pritëse që kanë ofruar shërbime publike, mbrojtje dhe siguri për miliona gjatë tetë viteve”.

Sipas të dhënave të fundit të IOM-it, 5.7 milionë njerëz mbeten të zhvendosur brenda Sirisë, ndërkohë refugjatë sirianë të regjistruar janë mbi 5.6 milionë, duke përfshirë 2.6 milionë fëmijë. Përveç kësaj shifre, 1.1 milionë njerëz jetojnë në zonat e përcaktuara nga OKB-ja “të vështira për t’u arritur”.

“Përderisa gati 1.3 milionë sirianë, kryesisht të zhvendosur brenda vendit, u kthyen në atdhe në vitin 2018, rreth 1.4 milionë të tjerë sapo u zhvendosën në të njëjtën periudhë”, tha IOM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button