Vrasësi i Muhamedali Jasharit, më në fund para gjykatës?

Javën e ardhshme pritet të fillojë procedura gjyqësore për vrasjen e maturantit Muhamedali Jashari nga fshati Kondovë, Shkup. Prindi i viktimës, Xhevair Jashari, shprehet optimist se kësaj radhe nuk do të dështoj procesi gjyqësorë siç ka ndodhur disa herë me radhë. 

“Gjykimin e radhës e kanë caktuar tash me 6 shtator, herën e parë në korrik gjykimi nuk u mbajt sepse i dyshuari i parë për vrasjen është i dyshuar se ka kryer edhe një vepër penale të njëjtë si vrasja e djalit tonë dhe është në ikje. Policia nuk ka mund ta gjej dhe tash nuk e di ka diçka të re ose jo” tha Jashari.

Prindërit dhe familjarët e Muhamedali Jasharit, nga Gjyqi do të kërkojnë gjykim të drejtë, dhe kryerësi i veprës penale të merr dënimin e merituar, respektivisht atë maksimal.

“Prej gjyqit kërkojmë gjithçka që na takon. Për disa njerëz që janë si ky, që i marrin jetën një të riu, kërkojmë sigurisht se dënim me burg të përjetshëm” tha babai Xhevair Jashari.

I akuzuar për vrasjen e Muhamedali Jasharit është i mituri  me inicialet D.T.
Ndryshe, me 8 prill të vitit 2011, Muhamed Ali Jashari deri sa ka tentuar ta mbronte shokun e tij maqedonas Darko Ançev nga persona të panjohur të cilët e kishin sulmuar, është goditur në kokë me shufër metali dhe ka ndërruar jetë në spital. Muhamed Ali Jashari, 18 vjeçar nga Kondova, ishte djalë i vetëm në familje.

Vrasja ka ndodhur në objektin e shkollës së ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski” në Shkup.

Tani më u bë një vit e gjysmë dhe procesi gjyqësor ende nuk ka filluar. Do të fillojë ose jo procesi gjyqësor javën tjetër, mbetet të presim. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button