Trajtimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në planet dhe programet arsimore dhe edukative të shkollës fillore (I)

– Statusi i gjuhës amtare shqipe në infrastrukturën legjislative arsimore të vendit;

–  Qëllimet dhe detyrat e mësimit të gj.amtare;

– Statusi i gjuhës amtare në Planet dhe programet arsimore dhe edukative paraprake;

–  Krahasimi me Programet mësimore të shteteve tjera;

–  Evaluimi nga këndi i pedagogut shkollor;

Statusi i gjuhës amtare shqipe në legjislaturën arsimore të vendit

Gjuha shqipe, përveç që mësohet si lëndë e veçantë mësimore në të gjitha nivelet arsimore në R. e Maqedonisë së Veriut, po në këtë gjuhë zhvillohen edhe të gjitha lëndët tjera mësimore për nxënësit shqiptarë në shkollat fillore në përgjithësi. Kjo është edhe e drejtë kushtetuese e garantuar me ligj. Kështu, në Ligjin për Arsim Fillor të R.Maqedonisë, në nenin 8, alinea 1, shkruan: “Puna edukativo-arsimore në shkollën fillore realizohet në gjuhën maqedone dhe shkrimin qirilik. ” Mëtutje, në të njëjtin nen, alinea 2 pason: “Për bashkësitë etnike që ndjekin mësimin ndryshe nga gjuha maqedone dhe shkrimi qirilik, puna edukativo-arsimore realizohet në gjuhën dhe shkrimin e po asaj bashkësie sipas  formës së  rregullimit me këtë ligj.”

Gjuha shqipe si gjuhë amtare për nxënësit shqiptarë,(që, sipas Të dhënave Statistikore zyrtare të vitit 2014-2015 përbëjnë  33%  të numrit të përgjithshëm të nxënësve të shkollave fillore në Maqedoni), në këtë nivel të shkollimit mësohet dhe realizohet sipas qëllimeve  dhe  detyrave   të mësimit të gjuhës amtare që dalin nga Planet dhe Programet mësimore të arsimit dhe edukimit fillor,të miratuara nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Qëllimet e mësimit të gjuhës amtare

Për të konstatuar trajtimin e gjuhës shqipe (gjuhës amtare) në infrastrukturën normativo-didaktike të vendit, për arsye pragmatike do t’i referohemi Planit  dhe Programit mësimor të arsimit dhe edukimit fillor të vitit 1997 (para aprovimit të Koncepcionit të ri të arsimit nëntëvjeçar). Në këtë dokument, në kreun që ka të bëjë me  q ë ll i m i n    e   mësimit të gjuhës shqipe, shkruan:

– mësimi i gjuhës shqipe ka për qëllim që të zhvillojë te nxënësit interesimin, dashurinë dhe dëshirën për të njohur, zotëruar e për të zbatuar gjuhën shqipe si mjet themelor komunikimi e mësimi dhe si shenjë më karakteristike të identitetit kombëtar

– të përparojë e të përsosë të dëgjuarit, leximin, shkrimin, të kuptuarit, përjetimin dhe komentimin e të gjitha llojeve të teksteve;

– që nxënësit në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive t’i përvetësojnë dhe t’i zbatojnë njohuritë dhe ligjshmëritë e gjuhës letrare, të shprehen dhe të komunikojnë me gojë dhe me shkrim, me dashuri e në mënyrë të pavarur t’i lexojnë dhe t’i interpretojnë veprat më me vlerë të letërsisë shqipe, maqedonase dhe botërore, t’i shikojnë realizimet skenike dhe filmike, t’i zhvillojnë aftësitë individuale krijuese gjuhësore e letrare dhe të aftësohen për mësim dhe vetarsimim të mëtejshëm.

Detyrat e mësimit të gjuhës amtare

Përveç qëllimeve të mësimit të gjuhës amtare, në Dokumentin e lartëcekur, në mënyrë taksonomike përcaktohen edhe detyrat e mësimit të gjuhës amtare, të cilat janë:

– aftësimi i nxënësve për dëgjim,të folur dhe lexim (lexim shprehës,në vete, logjik,lexim të orientuar dhe hulumtues);

– për të shkruar, për t’u shprehur me gojë e me shkrim dhe për ta pasuruar fjalorin;

– të njihen shkallë-shkallë dhe sistematikisht me nocionet, përmbajtjet dhe rregullat gramatikore dhe drejtshkrimin e gjuhës letrare shqipe;

– të njihen me funksionin e fjalëve dhe me zbatimin e tyre në komunikimin me gojë,me shkrim dhe të llojeve tjera;

– të aftësohen për të dalluar dhe për të  zbatuar stilet e ndryshme fumksionale në komunikimin  e tyre me gojë e me shkrim; (stili afarist, gazetaresk, poetik, shkencor-popullarizues dhe stilin shkencor të të shprehurit);

– njohja me veprat letrare të letërsisë popullore dhe artistike në gjuhën shqipe,maqedonase, si dhe me vepra të letërsisë botërore;

– njohja me trashëgiminë historike dhe kulturore që ka ndikuar në rrjedhat kulturore te ne dhe në botë;

– të aftësohen që në mënyrë të pavarur të lexojnë,të përjetojnë,të kuptojnë, të interpretojnë (si analizë e zgjëruar) dhe të vlerësojnë realizimet letrare, skenike dhe filmike;

– të aftësohen për shfrytëzimin e bibliotekave dhe të burimeve të tjera të njohjes dhe vetarsimimit duke shfrytëzuar literaturë nga të gjithë lëmenjtë e jetës (duke shfrytëzuar enciklopedi, leksikone, fjalorë, gazeta dhe revista për fëmijë);

– nxitja e zhvillimit njohës,emocional e social dhe zhvillimi i mendimit pozitiv për vetveten;

– zhvillimi dhe nxitja e punës së mëvetësishme dhe të aftësive individuale intelektuale e kreative për të shprehurit letrar,skenik e të llojeve të tjera;

– njohja me nocionet teorike nga letërsia,nga arti skenik,filmik e mediumeve të tjera,si dhe shfrytëzimi i tyre për komunikim;

– të zhvillohet humanizmi,sinqeriteti,dashuria ndaj punës, solidariteti, dashuria ndaj atdheut dhe cilësitë e tjera pozitive morale;

– edukimi në frymën e paqës e tolerancës,të marrëdhënieve kulturore dhe bashkëpunimit  midis njerëzve e popujve dhe respektimi e plotësimi i të drejtave dhe obligimeve qytetare;

– përparimi dhe mbrojtja e natyrës e kulturës dhe mënyra e shëndoshë e jetës.

(I njëjti vlen edhe për nxënësit e bashkësisë etnike maqedone për gjuhën e tyre amtare).

Meqenëse qëllimet dhe detyrat e mësimit të gjuhës amtare janë konkrete dhe indikative, në vazhdimin tjetër do të bëjmë një vlerësim të aspektit kuantitativ të përfshirjes së kësaj lënde mësimore në  fondin javor për çdo klasë,duke bërë një komparacion me  planet mësimore të shteteve përreth dhe atyre perëndimore, madje relitetet e përdorimit praktik të saj, si dhe mendime për inkluzionin e formave dhe metodave tjera më funksionale, më praktike dhe  utilitare.

Nga: Sirija Etemi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button