Mësuesi, edukator i shoqërisë

Data 7 Mars në historinë tonë njihet si Festa e Mësuesit. Në këtë datë në të gjitha trojet shqiptare nderohet puna dhe kontributi i mijëra mësuesve, atyre që kanë investuar dhe që investojnë për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri.

Urimet tona për të gjithë mësuesit!

Siç e dimë edhe nga këndvështrimi islam, mësimi dhe arsimi janë baza, janë jeta e zhvillimit të njerëzisë nga të gjitha aspektet. Në fakt, këta dy komponentë në historinë islame zënë vend qendror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të civilizimit islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë të përcaktuara me fjalën e Zotit në Kuranin Fisnik: ”Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë” (96/1) dhe në thëniet e Muhamedit (a. s.), duke u bërë të obliguara për çdo mysliman e myslimane, edhe atë në çdo kohë dhe në çdo vend.

Madje, Kurani fisnik jo vetëm që urdhëron dhe afron dije të gatshme, por, për më tepër, ai na mëson se si ta përfitojmë dijen, na i tregon rrugët e dijes. Ai nuk kërkon nga njeriu që dijet që  i ofrohen atij të merren dhe të praktikohen pa u thelluar në to, pa medituar dhe pa menduar mirë, pa e hulumtuar, pa e kuptuar, dhe pa e përvetësuar mirë atë.

Përkundrazi,  Kurani pyet: “A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin”,Ata, a nuk ndalen të mendojnë mbi thellësinë e Kuranit fisnik.” (47/24)   Kurani nuk urdhëron thjesht të lexohet, por duke u thelluar në kuptimin dhe përmbajtjen e tij, pra porosit një lexim me vëmendje të thellë/tertil. (74/4)  Për më tepër,  Kurani i dedikohet një “shoqërie që mendon, që logjikon”. (2/197)  Pra, Kurani i mundëson njeriut të arrijë kapacitetet e meditimit, të idesë dhe të gjykimit,  që dijen ta fitojë, ta prodhojë dhe ta përçojë më tej.

Është pikërisht mësuesi ai që këtë detyrë e kryen në mënyrën më të bukur.  Profesioni i mësuesisë është një detyrë shumë e lartë dhe shumë e rëndësishme në ndërtimin e shoqërisë,       saqë nuk mund të shpjegohet me fjalë. Në veçanti, në kohën e fundit, kur përpara fëmijëve apo nxënësve ekzistojnë rrugë të ndryshme dhe mundësi të pakufishme ‘për të humbur kohën’.

Mësuesi apo edukatori i shoqërisë, përpos asaj që përcjell njohuritë te brezat e ardhshëm,  njëkohësisht ai edukon, përcjell përvojat e dobishme për jetë, e çiltëron inteligjencën e fëmijëve, hap diapazonin e të menduarit te fëmijët. Mësuesia është art i transferimit të vlerave të përhershme te brezat që vijnë. Mos harrojmë se të gjitha llojet e profileve dhe personaliteteve në shoqëri, duke filluar nga ekonomistët, inxhinierët, mjekët, politikanët, juristët, poetët, shkrimtarët, gazetarët, shkencëtarët, artistët, hoxhallarët etj. Etj., janë edukuar me përpjekjet dhe mundin  mësuesve.  Pra, është një fakt i pamohueshëm se figura qendrore në zhvillimin dhe përhapjen e arsimit është vetë mësuesi.

Qëndrimi islam ndaj dijetarit, mësuesit, apo edukatorit, është shumë transparent. I dërguari i Allahut, Muhamedi (a. s.) ka thënë:   “Në Ditën e Gjykimit vihet në peshojë gjaku i dëshmorëve dhe ngjyra e penës së dijetarëve; ngjyra e penës së dijetarëve peshon më rëndë.”  Pas Betejës së Bedrit, duke shqyrtuar statusin e robërve të luftës,  Pejgamberi (a. s.) profesionin e mësuesisë e konsideroi të barabartë  me gjënë më të çmueshme për njerëzinë – me lirinë, andaj edhe ndaj robërve të luftës së Bedrit e mori këtë qëndrim: “kush ua mëson dhjetë myslimanëve shkrim- leximin, do të fitojë lirinë”.

Është më se e vërtetë se shpërndarja dhe zgjerimi i diturisë është njëlloj si shpërndarja e pasurisë, meqenëse ajo e dallon njeriun nga të tjerët. Dora që jep është më me vlerë se dora që merr. Dija, ashtu si dhe pasuria, është amanet nga Zoti në dorën e njeriut. Me shpërndarjen e të dyjave, njeriu çlirohet nga egoizmi dhe nga mendësia se ato janë nën kontrollin e tij absolut. Dobia e përcjelljes së diturisë në shoqëri është më e madhe se shpërndarja e pasurisë. Në këtë kontekst mësuesi është më i vyeshmi, më i pasuri i shoqërisë. Ai pas vete lë një xhirollogari të hapur edhe pasi të kalojë në botën e amshuar, sepse sevapet rrjedhin në adresë të tij. I dashuri i Allahut (a. s.) ka theksuar:  “ai që ka lënë pas dituri, prej së cilës përfitojnë njerëzit, e ka të hapur fletoren e të mirave (i shkruhen sevape) edhe pas vdekjes”. Me siguri, nga këto qëndrime të të dërguarit të Allahut është frymëzuar edhe Aliu (r. a.),  i cili në lidhje  me mësuesin është shprehur në këtë mënyrë:  “Kush ma mëson një shkronjë, do t’i shërbej tërë jetën atij.”  Një fjalë e urtë thotë:  “po mos të  ishin dijetarët-mësuesit, njerëzit do të jetonin si kafshët”. Kjo është kështu, sepse mësuesi, njëkohësisht, është një edukator, një udhëzues i njerëzimit.

Mësuesit plotësisht janë të vetëdijshëm se detyra e tyre është një mision i shenjtë dhe se ata janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e misionit të tyre në kohë, para gjeneratave të reja dhe sigurisht  që nesër, në botën tjetër, edhe para Madhërisë së Allahut (xh. sh.). Sepse, detyra e shenjtë e mësuesisë, thjesht, nuk është vetëm të përcjellë, të bartë, apo të transmetojë të dhëna të ndryshme, përkundrazi, misioni i tij është në një pozicion që të kultivojë ndjenjat e së mirës, të bukurës, të etikës, të moralit dhe të sinqeritetit. Ai te fëmijët e ngulit dashurinë ndaj librit dhe leximit, mirësjelljen ndaj njerëzisë, respektin ndaj të shenjtës-fesë, ndërton ndërgjegje të shëndosha, mendje me vetëdije përgjegjësie. Pra, me një fjalë, mësuesi është i vetëdijshëm se ai e edukon dhe e përgatit njeriun,  apo gjeneratën e së ardhmes, duke mos harruar se guri në themelin e fortifikatës së të ardhmes vihet pikërisht tani dhe pikërisht këtu.

Sipas botëvështrimit islam, procesi i mësimit dhe arsimimit është një proces që e përshkon tërë jetën. “Kërkoni dituri prej djepi e deri në varr” (hadith). Ai është një mision që kërkon angazhim permanent, që kërkon energji dhe zell të lartë, që kërkon përkushtim, që kërkon dashuri dhe një zemër të mbushur me plot energji pozitive. Sepse, me çka është e mbushur zemra, me atë derdhet ajo në sjelljen e njeriut,  në forma të ndryshme. Mu për këtë arsye,  detyra e mësuesisë nuk është punë për dembelët, për përtacët,  apo për ata që kohën e çojnë duke luajtur ‘gurëce’ kafeneve.

Duke e mbyllur këtë temë, mos harrojmë edhe këtë fakt të vërtetë: se, një nxënës, një person që dëshiron të mësojë nga ndonjë mësues, mund të përfitojë prej tij aq sa do ta respektojë mësuesin e vet. Prandaj, ne shprehim respekt, dashuri dhe mirëkuptim ndaj atyre që na mësojnë, që na këshillojnë dhe na edukojnë.

O Zoti im, shtoma dijeninë.” (Kuran, 20/114).

Dr. Selver Xhemaili

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button