Mësues i denjë si Ismailhaki Abdulla Rizai (1926-2019)

Të jesh mësues i denjë është diçka e shenjtë, është diçka që s’mund ta bëjë çdonjëri, është diçka që kërkon përkushtim, kujdes në të folur, në të dëgjuar, në të vepruar dhe në arritjen e qëllimeve. Të jesh mësues është diçka që kërkon sakrificë dhe durim, sepse mësuesi është drita e cila u jep lëvizje nxënësve të tij, ata e pasojnë atë (mësuesin) si dhe e imitojnë çdo veti të tij ashtu siç imiton fëmija prindin e vet.

 Ismailhaki Abdulla Rizai
Ismailhaki Abdulla Rizai (1926-2019)

Mësues i suksesshëm në mësimdhënie është ai mësues që demonstron respekt, mirëkuptim, bashkëpunim, tolerancë e dashuri në raport me nxënësit. Ai mësues që është tërheqës dhe me humor të konsoliduar sipas situatave, është me virtyte të larta morale, intelektuale e kombëtare, është entuziast e optimist dhe i drejtë ndaj nxënësve, është i afërt me ta, i përgjegjshëm dhe i kuptueshëm, është syçelë, i ekuilibruar, nxitës dhe motivues i nxënësve për mësim, është i matur dhe me vetëbesim në punën e tij me nxënësit.

Personaliteti i mësuesit, në kuadrin e edukimit të suksesshëm, duhet të reflektojë tek ata figurën, jo vetëm të një mësimdhënësi apo edukatori të mirëfilltë, por edhe të një qytetari të ndershëm, përmes sjelljes, komunikimit dhe veshjes. Këtë, mësuesi duhet të rrezatojë, jo vetëm brenda mjedisit të shkollës, por edhe jashtë saj. Pra, kudo që të ndodhet dhe në çdo kohë, pasi të tilla janë natyra e profesionit, figura dhe misioni i tij.

Njëri prej mësuesve dhe veteranëve të arsimit në Tetovë ka qenë edhe Ismailhaki Abdulla Rizai. Ai lindi më 08.12.1926 në Tetovë nga një familje zejtare. Shkollimin fillor e filloi me vonesë, kështu që shkatërrimi i Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene në vitin 1941 e gjeti në klasën e tretë, ndërsa gjatë viteve të luftës do ta mbarojë klasën e katër, pestë dhe klasën e parë të gjimnazit. Në vitin 1947 do të mbarojë gjysmëmaturën. Në verën e vitit 1947 do ta mbarojë kursin e pedagogjisë në Shkup dhe do të emërohet mësues në Kumanovë. Në vitin 1948 emërohet mësues në fshatin Brodec të Tetovës, ishte kjo shkollë e parë në këtë fshat, këtu do të punojë me dy paralele. Në vitin 1949 do t’i përfundojë kursin e dytë dhe të tretë të pedagogjisë në Shkup dhe do ta jep edhe provimin e maturës.

Në vitin shkollor 1949/50 do të transferohet në fshatin Teracë ku do të punojë tri vite. Në fund të vitit të tretë bashkë me disa arsimtarë tjerë do të përjashtohet nga procesi edukativo-arsimor dhe do të mbetet pa punë 4 muaj.

Në vitin 1953 do të pranohet si mësues në fshatin Sllatinë ku do të punojë një kohë të shkurtë, më pas do të transferohet në fshatin Bogovinë ku do të punojë deri vitin 1959. Pas Bogovinës kthehet në Tetovë në shkollën fillore Liria ku do të punojë deri në pension në vitin 1987.

Mësuesi Ismailhaki, gjithnjë ishte i përkushtuar në punën e tij profesionale, kishte vendosmëri, fisnikëri, besnikëri, sinqeritet me një fjalë ka qenë pinjoll dhe dinjitoz në punën e tij. Gjeneratës së tij u ka rënë barra të hapin shkolla në zonat më të thella të vendit tonë duke ecur në këmbë deri në 7 orë në ditë, por neve na ngel përgjegjësi që t’i ruajmë kto vlera. Pas një sëmundje të shkurtër vdes më 15.02.2019 dhe varroset në varrezat e qytetit të Tetovës. Allahu e pastë mëshiruar!

Nga Dr.Husein Rizai

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button