Kapardisja e politikës shqiptare

Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore. Atë e gjen kudo në botë, por te ballkanasit, posaçërisht e veçanërisht te shqiptarët. Në çdo shtet të botës apo edhe në çdo shoqëri në përgjithësi, hasim në dy rryma kryesore politike, të cilat në zhargonin e përditshëm njihen si rryma progresive-konstruktive dhe në rryma destruktive.
Mirëpo, destruktivitet të përmasave destabilizuese gjendet vetëm në shtetet të cilat janë qeverisur nga ideologjitë komuniste e posaçërisht te shtetet dhe shoqëritë ballkanase të cilat assesi nuk po munden të bëjnë paqe me realitetin e ri në rajon. Dhe më tragjikja e gjithë kësaj është se destruktivitet të pakontrolluar dhe me potencial per të dëmtuar kombin e vetë hasim veçanërisht tek një numër i konsiderueshëm i politikës shqiptare.

Kronika e gjatë e gadishullit tonë respektivisht kronika e politikës shqiptare nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të avancohet më tutje pa e njohur gjenezën dhe burimin kapardisjes së politikës shqiptare. Si në të kaluarën e afërt gjithashtu edhe nëpër momentet që po kalon politika shqiptare, shumë herë janë mjegulluar veprimet politike deri në atë pikë sa që është shumë e vështirë për opinionin që të bëjë dallimin se ku fillon dhe ku mbaron kufiri i një veprimi politik dinjitar, veprimi politik trimëror e ku nis kapardisja e politikës shqiptare. Është e vështirë të bëhet ky dallim sepse veprimet e tilla politike janë të ndërthurura shpesh herë me të gjitha tiparet apo me një miks tiparesh të mbara e të mbrapshta, duke i dhënë një theksim të veçantë virtyteve emocional-populiste.

Profilet e politikanëve emocional-populist, po vazhdojnë që të mbajnë peng një komb të tërë për gati tre dekada me radhë sepse profili i skajshëm populist ka ngelur arma e vetme e tyre për mbijetesë politike dhe me këtë lloj mbijetese politike Ata sigurojnë mosprekjen e tyre nga sistemi i drejtësisë deri në largimin e tyre nga jeta politike.
Kronikat e ngjarjeve tre dekadëshe në politikën mbarë shqiptare na mësojnë një detaj shumë të rëndësishëm për të cilin duhet pasur kujdes dhe vigjilencë maksimale. Politikanët e kapardisur shqiptarë me prirje destruktive në momentet kyçe, të fatit të kombit i fryjnë klimës destabilizuese dhe vetë-shkatërruese të kombit.

Kjo kronikë e gjatë na mëson se Shqipëria u destabilizua nga politikanë të profilit të tillë në kohën kur i duheshe më tepër se kurrë unitet kombëtar, sepse fati i Kosovës ishte në rend dite në kancelarit më të mëdha botërore. Po sot, çka po ndodh në Shqipëri?

Një pjesë e politikës së kapardisur po kërkon destabilitet dhe ky destabilitet ka një qëllim, qëllimin e lënies vetë të Kosovës në momentet kur po kërkohet veprim mbarëkombëtar.
Po në Kosovë ,më tepër se asnjëherë më parë pyka e çarjes e ka goditur lidershipin e atjeshëm dhe kjo pyke e çarjes me metoda fëmijërore me ndarje dhe përçarje partish nuk dëmton askënd tjetër përpos vendin dhe të ardhmen e vendit.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një numër i konsiderueshëm i politikanëve të kapardisur dhe të humbur përball ndryshimeve rrënjësore që po kalon vendi dhe rajoni, me çdo kusht konkretisht duke mos zgjedhur mjetet dhe metodat për mbijetesë politike kanë arritur në majat më të larta të emocional-populizmit. Promotorët e këtij lloji të emocional-populizmit të paparë deri më tani, duke dashur të imponohen në opinion si patriotë sui-generis por pa kërkuar falje për të kaluarën e tyre politike mbi 20 vjeçare dhe duke dashur të rikthejnë në skenën politike shqiptare mentalitetin e një populli të robëruar respektivisht duke ri-instaluar parullën e vjetër nga sistemi i kaluar se kush nuk ka hëngër dajak, nuk mund të jetë politikan patriot.

Prandaj, në periudhën që do të vijë ,opinion i gjerë shqiptarë duhet të mendoj logjikisht dhe jo emocionalisht sepse vetëm të menduarit dhe të vepruarit logjikisht në politik do të na e heq litarin rreth qafës të vënë nga soji i politikanëve të tillë emocional-populist.
Të parët mendojnë për zgjidhje dhe vizion për avancimin e kauzës kombëtare ndërsa të dytët mendojnë për zgjedhje sa më të shpeshta sepse ujqërit kërkojnë mjegull për ti mbijetuar urisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button