Zyrtarët e lartë amerikanë takojnë Thaçin dhe Haradinajn

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, John Erath dhe Brad Berkley po vizitojnë Kosovën ku gjatë ditës kanë zhvilluar një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, transmeton REL. 

Në një komunikatë nga Qeveria e Kosovës thuhet se gjatë takimit kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, “që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008”.

“Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë” thuhet më tutje në komunikatë.

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara para vizitës në Prishtinë qëndruan në Beograd mirëpo nuk kanë dhënë detaje për qëllimin e vizitës. Në bazë të raportimeve të mediave serbe, zyrtarët serb kanë thënë se me delegacionin amerikan kanë biseduar për çështjen e tarifës dhe bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të pezullohet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kundërshton pezullimin e tarifës përderisa partneri tjetër i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës që e udhëheq kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e saj në kohëzgjatje prej 120 ditësh.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button