Ia nisën Mbrëmjet Strugane të poezisë

Mbrëmjet strugane të poezisë u hapën dje me mbjelljen tradicionale të drurit në Parkun e poezisë në Strugë, nga ana e laureatit të sivjetëm, poetit nga Afrika e Jugut Mongane Wally Serote të cilit iu dha çmimi “Kurora e Artë e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë”.

“Është privilegj dhe nder që nga një vend i largët, përmes festivalit Mbrëmjet Strugane të Poezisë, të nderohem me këtë çmim të lartë.  Ky çmim , ose më mirë të them këtë çmim ia jepni popullit tim. Për jetën në Afrikën e Jugut janë shkruar shumë poezi, romane dhe tjera dhe unë tani në institucionin ku punoj u sugjeroj njerëzve që të besojnë gjithnjë në një të ardhme gjithnjë e më të mirë” tha Serote.

Drejtori i festivalit poetik,  Mite Stefoski, në fjalën e tij të rastit theksoi se sivjet do të përpiqen që të bëjnë disa ndryshime dhe risi, duke ruajtur dialogun ndërmjet civilizimeve përmes poezisë.

Hapja solemne e festivalit u zhvillua  me deklamimin e poezisë së Dimitrije Milladinovit, “Malli për jugun”, që sivjet pas shumë e shumë viteve do të deklamojë një nga pasardhësit e familjes Milladinovi-Riste Milladinov.

Vlen të theksohet se sivjet, me përzgjedhjen e poetes Puntorie Muça-Ziba, në këtë festival poetik janë ftuar edhe 12  poet shqiptar nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Nga Maqedonia janë ftuar pos selektores Puntorie Muça-Ziba edhe poetët: Xheladin Muça, Bexhet Asani, Nuhi Vinca, Nehas Sopaj, Sadije Aliti, Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani.  Nga Kosova është ftuar Basri Çapriqi, ndërsa nga Shqipëria janë ftuar: Krenar Zejno, Shpëtim Kelmendi dhe Mimoza Rexhvelaj.

Festivali i sivjetëm i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, ka edhe një të veçantë tjetër, sepse regjisor i festivalit është regjisori Xheladin Poshka, tashmë i punësuar në MSP, ndërsa skenografinë e ka bërë skenografi shqiptar Besart Kolonja-skenograf i diplomuar, poashtu i punësuar në MSP. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button