Policia “gabimisht” bastis katër shtëpi në Likovë

Gjatë mëngjesit të së martës rreth 50 policë të armatosur kanë bastisur katër shtëpi në fshatin Likovë të Kumanovës. 

Pasi që gabimisht i kanë bastisur shtëpitë për rreth 30 minuta, ndër të cilat edhe shtëpia e drejtorit të gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë Avdi Aliu, ata kanë kërkuar falje, duke thënë se kanë gabuar shtëpinë.

“Prej rreth 50 policëve sa ishin, vetëm dy prej tyre folën shqip. Të gjithë ishin të armatosur deri në dhëmbë. Gjatë bastisjej së shtëpive nuk janë bë dëmtime të mobiljeve ose oriendive tjera, mirëpo  janë tmerruar gratë, pleqtë dhe fëmijët. Djali i kushëriut Egzon Aliu u prangos dhe u shtri për toke pa asnjë shkas. Gjithçka zgjati rreth gjysëm ore dhe më në fund na kërkuan falje dhe na thanë se aksioni është dashur të realizohet në shtëpitë e disa fqinjëve tanë mirëpo edhe atje më në fund e pranuan se kanë gabuar”, deklaroi për “Lajm”, Aliu.

Përveç tjerash, ai paralajmëroi se do të ngrejë padi kundër policisë për shkak të traumave që u janë shkaktuar, por edhe për shkak të dëmtimit të autoritetit.

“Unë jam profesor dhe drejtor i gjimnazit në Likovë. Çfarë mendimi do të kenë prinmdët e nxënësve që mësojnë në këtë shkollë. Kush do t’ia sqarojë secilit prej tyre se aksioni ka qenë I gabuar dhe se policia gabimisht është futur në shtëpinë time. Do të ngrejmë padi ndaj policisë dhe do të kërkojmë dëmshpërblim për traumat që na janë shkaktuar”, shtoi Aliu.

Edhe zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, deklaroi se gjatë aksionit nuk është gjetur asnjë dëshmi për vepër të kryer penale.

“Aksioni është ndërmarrë për të verifikuar disa informata paraprake operative për disa vepra të mundshme penale por me rëndësi është se nuk është gjetur asgjë”, deklaroi Kotevski për “Lajm”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button