Anderlechti i Hasit shpallet kampion

Besnik Hasi ia del mbanë. Trajneri shqiptar arriti të udhëheqë Anderlechtin drejt titullit të 33-të kampion në Belgjikë.

Edhe pse e mori drejtimin e skuadrës nga Brukseli vetëm në javën e fundit të sezonit të rregullt pas largimit të trajnerit Van Den Broom, Hasi bëri një punë të shkëlqyer në krye të klubit gjatë fazës play-off duke përmbysur një disavantazh 5 pikësh ndaj Standartit të Liezhit për tu shpallur në fund kampion i vendit. Me këtë sukses 42-vjeçari shndërrohet në trajnerin e parë shqiptar që arrin të fitojë një kampionat të rëndësishëm në Europë, transmeton Supersport.

Për t’i vënë vulën titullit Anderlechti mposhti me rezultatin 3-1 Lokerenin në sfidën e fundit të fazës play-off duke e mbyllur sezonin në kuotën e 51 pikëve dy më shumë se Standarti I Liezhit që edhe pse kishte dominuar në gjithë sezonin e rregullt u dorëzua përballë rekordmenëve të Belgjikës.

Sfida e luajtur në stadiumin “Constant Vanden Stock” të Brukselit nisi në mënyrë fantastike për Anderlechtin që zhbllokoi rezultatin falë golit të shënuar nga Mitrovic në minutën e 19-të. Megjithatë me startin e pjesës së dytë gjithçka u ndërlikua për ekipin e Besnik Hasit pasi në minutën 54 mbrojtësi Van Den Borre shkaktoi një penallti që futbollisti I miqëve Harabaoui e ktheu në gol duke barazuar rezultatin.

Megjithatë Anderlechti nuk u demoralizua aspak dhe vetëm tre minuta më pas kaloi sërish përpara me qëndërmbrojtësin Mbemba. Golin që I vuri kapak takimit por edhe titullit të 33-të të Anderlechtit në kampionatin belg e shënoi Praet në të 67-tën. Deri në fund nuk ndryshoi më asgjë në rezultat dhe vërshëllima e arbitrit kryesor bëri që të shpërthente në festë një stadium I tërë. Megjithatë nëse Anderlechti ja doli mbanë ta fitojë këtë titull një meritë e madhe I atribohet padyshim Besnik Hasit që në 11 ndeshje në krye të klubit koleksionoi 8 fitore 1 barazim dhe 2 humbje duke përmbysyr një diferencë goxha të madhe pikësh ndaj dy kundërshtarëve direkt si Standart Liezh dhe Club Brugge.

Lajme të ngjashme

Back to top button