BDI zmbrapset, u kthye për të votuar në Kuvend

Realizohen parashikimet e disa prej mediave, të cilat paralajmëruan se BDI do të ndryshojë qëndrimin duke u kthyer në Kuvend për të votuar ligjet qeveritare. Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim kthehen në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Pas bllokimit të seancës së djeshme, sot deputetët e BDI-së kanë ndërruar mendjen, edhe atë jo vetëm që kthehen në sallë, por edhe do të votojnë për ligjet e propozuara nga Qeveria.

“BDI do të shfrytëzon të gjitha institucionet dhe mundësitë që i parasheh rregullorja, ligji për Kuvendin dhe Kushtetuta e RM-së, që në mënyrë institucionale të parandalojë dhe të përjashtojë mundësinë e sjelljes së një ligji aq të keq që ndan komunitetet, thellon hendeqet, prish urat me një ligj që dretpërsëdrejti rrezikon integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë” – tha Talat Xhaferi. 

Megjithatë, ai tha se me qëllim që të mos bëhet alibi i rrezikimit të Raportit pozitiv të Komisionit Evropian, BDI do të ndryshojë qëndrimin dhe do të kthehet në Kuvend të votojë PËR ligjet në seancë plenare.

“BDI në përcaktimin e vet për të ruajtur dinjitetin, tolerancën dhe mirëbesimin ndër komunitetet dëshmoi se çka është në gjendje të bëj. Votuam në Kuvend edhe kundër Propozim Ligjeve të ministrave të BDI-së, me çka përcollëm mesazhin se me përcaktimet tona nuk ka lojë. BDI edhe njëherë dëshmon se është lokomotivë dhe promotor i proceseve euroatlantike dhe rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. BDI nuk do të lejoj që të krijohet alibi të rrejshme se shkaku i këtij qëndrimi dhe refuzimi të fortë të Propozim Ligjit të branitellave rrezikohet Raporti pozitiv i Komisionit Evropian për Maqedoninë. Për atë arsye në emër të grupit parlamentar të BDI-së ju njoftoj që do të vazhdojmë që të votojmë për ligjet e mbetura në këtë seancë me ritheksim të veçantë se ne do të shfrytëzojmë çdo gjë që është e mundshme në rrugë institucionale të parandalojmë miratimin e Ligjit kontestues në fjalë dhe atë ne u sigurojmë qytetarëve” – tha Xhaferi.

Izet Zeqiri nga RDK veprimin e BDI-së e cilëson si lojë politike shumë të dëmshme dhe të rrezikshme.

 “Në pyetje është ligji për ndjekjen e komunikimeve. Për këtë ligj ne si RDK kemi propozuar mbi 10 amandamente me të cilët kërkonim që ky ligj të jetë në harmoni me të gjitha standardet evropiane. Pikërisht ato amandamente u refuzuan nga Talat Xhaferi se asnjë amandament i tillë për ndjekjen e komunikimeve nuk është pranuar edhe pse ne gjykojmë se ligji për ndjekjen e komunikimeve nuk është i precizuar, nuk është i qartë nuk definon cilat institucione për sa kohë sipas cilave rregullave do të bëjnë përgjimin dhe ky ligj duhet të përpunohet ende. Në fillim të kësaj seance për mbrojtjen e dinjitetit, barazisë së pjesëtarëve pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, pikërisht BDI tha se ne nuk do të votojmë asnjë ligj. Nuk e di se cila është arsyeja që ju lëshoni pe. Ndoshta ministrja për euro-integrime u ka dhënë porosi se duhet ta votoni se e ka shenjën e BE-së. Unë mendoj se kjo është një lojë, nëse ju dëshironi që ky ligj mos ta shohë dritën ashtu siç thoni ju, ju duhet ta bllokoni këtë seancë në të cilën shqyrtohet ligji i forcave të sigurisë. Mendoj se është një plan i lojës shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm edhe për ambientin demokratik por edhe qytetarët e Maqedonisë” – tha Zeqiri.

Seancën e Kuvendit e ndërpreu koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Igor Ivanovski i cili kërkoi një orë pauzë, dhe kërkoi nga Xhaferi të precizon qëndrimin e BDI-së, a do të voton apo jo pro ligjeve në rend dite.

“Në këtë seancë ka 33 pika, nga të cilat 19 plus 10 tanimë të kaluara, apo gjithsej 29 pika janë ligje të qeverisë të propozuar nga ministrat e VMRO-së dhe BDI-së.  Në ditën e parë njëri partner i koalicionit, BDI ka votuar kundër këtyre ligjeve, partneri tjetër VMRO për këto ligje. Dje LSDM përsëri ua siguroi shumicën e 2/3, VMRO e prishte kuorumin duke i nxjerrë deputetët jashtë. Pasi bëhet gjithnjë e më eklatant kaosi, konfuzioni, keqpërdorimi i institucioneve, stabile tani për tani janë vetëm ulëset tuaja. Më intereson dhe kërkoj sqarim publik dhe preciz nga koordinatori i BDI-së, z. Talat Xhaferi a do ti mbështesin 19 ligjet e mbetura, ligje të propozuara nga ana e qeverisë, përfshirë edhe Ligjin për ndjekjen e komunikimeve që duhet të miratohet me 2/3 e votave” – tha Ivanovski./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button