“Almiri”, mbrojtja kërkon të ndërrohet ndihmësi i gjykatësit pasi që është serb

Pala mbrojtëse në procesin gjyqësor “Almiri” kërkon që të ndërrohet ndihmësi i gjykatësit të lëndës, pasi që dyshojnë se për shkak të përkatësisë së tij etnike me të akuzuarin Boban Iliq, do të jetë i anshëm gjatë procesit gjyqësor, njofton Portalb.mk.

“Kemi kërkuar që të ndërrohet gjykatësi i dytë, gjegjësisht ndihmësi i gjykatësit, Lubomir Gjorçeviq, i cili është i përkatësisë së njëjtë etnike me të akuzuarin Boban Iliq, gjegjësisht është serb dhe për këtë dyshojmë se i njëjti gjatë procesit gjyqësor do të jetë i anshëm”, thotë për Portalb.mk, avokati Asmir Alispahiç.

Mbrojtja kërkon që i njëjti të jetë shqiptar ose në të kundërtën do të kërkojnë që procesi gjyqësor të zhvillohet në ndonjë gjykatë tjetër.

“Ne insistojmë gjykatësi i dytë të jetë shqiptar dhe vetëm ashtu do të mundemi të besojmë në një vendim të rregullt, nëse jo, atëherë ne sipas Ligjit për Procedurë Penale do të ndërmarrim masa tjera për ndërrimin e plotë të gjykatës dhe do të kërkojmë që gjykimi të vazhdohet në ndonjë gjykatë të ndonjë qyteti tjetër”, thotë Alispahiç.

Ndryshe, sot ka qenë seanca parë e lëndës “Almiri”, pasi që është kthyer në rigjykim. Sikur gjatë gjykimit të parë, gjykatëse e lëndës është Maja Denkovska, ndërkaq prokurore Suzana Kusigerska. Seanca e radhës do të vazhdojë më 2 prill.

Më 1 tetor të vitit 2018 u mbajt seancë publike në Gjykatën e Apelit në lidhje me ankesat e palëve për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës.

Prokuroria e Lartë gjatë seancës  në Gjykatën e Apelit kërkoi që të dënuarit për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, Boban Iliq dhe të dënuarve për dhunë, Sami Demiri dhe Abdullah Aliu t’u rritet dënimi.

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button