Irani: Pa lojtarët kyç, takimi i Varshavës mund të dështojë
Irani ka kritikuar konferencën e kësaj jave mbi Lindjen e Mesme duke e cilësuar se është treguar “mungesë në vendimmarrje dhe në respekt”, ndërsa ka theksuar se mungesa e lojtarëve kryesorë rajonalë do thotë se konferenca mund të dështojë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Bahram Ghasemi, tha se asnjë nga vendimmarrësit në rajon nuk mori pjesë në konferencën në Varshavë të Polonisë, që u mbajt dy ditët e kaluara, të mërkurën dhe të enjten.
“Një konferencë pa pjesëmarrjen e lojtarëve kryesorë të rajonit si Turqia, Iraku, Libani, Palestina, si dhe Kina e Rusia, nuk mund të jetë e suksesshme”, theksoi Ghasemi.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ghasemi tha se, “Nga njëra anë, SHBA-të po organizojnë një paqe dhe siguri në konferencën e Lindjes së Mesme dhe në anën tjetër përkrahin terroristët në rajon, duke rritur mungesën e shpresës, varfërinë dhe luftën midis popujve të rajonit”.
Konferenca mbi Lindjen e Mesme
Takimi me pjesëmarrjen e 60 vendeve synonte diskutimin e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, luftën kundër terrorizmit, zhvillimin dhe përhapjen e raketave.
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, dje akuzoi Iranin për një “ndikim të keq” në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se përballja me Teheranin është një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin në rajon.