RDK: Çështja e UÇK-së të zgjidhet sa më parë

Nuk duhet të pranohet asnjë zmbrapsje nga zgjidhja e çështjes së ish ushtarëve të UÇK-së, është një çështje senzitive që është premtuar 11 vite shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, nga partitë politike shqiptare, pjesëmarrëse në pushtet. Kështu u shpreh deputeti i RDK-së Izet Zeqiri duke komentuar deklaratën e ministrit Fatmir Besimi duke thënë se kjo parti kërkon nga gjitha partitë shqiptare të pranojnë propozim ligjin e tyre për ish ushtarët e UÇK-së.

“Nëse do të ishte e kundërta atëherë do të ishte një plan i lojës që e luajnë partnerët e koalicionit vetëm për të fituar peshë në elektorat. Ne si RDK kemi përgatitur Ligjin për të drejtat e posaçme të invalidëve, anëtarëve të familjes së viktimave, anëtarët e familjes së dëshmorëve të luftës së 2001shit dhe jemi të gatshëm të lëshojmë në procedurë parlamentare, dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe me partitë shqiptare që kjo çështje një herë e përgjithmonë të zgjidhet, të kenë trajtim të barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konfliktin e vitit 2001 “ tha Zeqiri sot në Parlament.

Marrëveshja kornizë e Ohrit përveç tjerash kishte për qëllim pajtimin e palëve të konfliktit, atëherë është e pashmangshme të gjendet zgjidhje për të drejtat e posaçme për invalidët, anëtarët e familjeve të viktimave civile, anëtarëve të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së. 

“Pikërisht këtu i shohim arsyet për çështjen e miratimit të ligjit për ish ushtarët e UÇK-së dhe kjo çështje duhet të shkon deri në fund dhe të sillet një ligj i cili do ti trajton në mënyrë të barabartë edhe dëshmorët e UÇK-së dhe anëtarët e familjeve të viktimave” thotë Zeqiri.

Sipas tij, po të analizohet Propozim Ligji për branitellat, tashmë zgjerohen të drejtat të cilat ata i kanë pasur me ligjin paraprak, doemos këtë të drejtë ta kenë edhe anëtarët e familjeve të viktimave civile dhe anëtarët e familjeve të dëshmorëve të UÇK-së gjatë kohës së konfliktit të vitit 2001. 

“Është e papranueshme që branitellat të kenë të drejtë në mjete personale, gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore, të drejta në punësim, të drejta në përkujdesjen banesore, kompensim në para, të drejta në fushën e arsimit, në pensione familjare, kurse familjet e dëshmorëve të UÇK-së të mos i kenë ato të drejta. Është e papranueshme sot që branitellat apo anëtarët e familjeve të tyre në USHT të studiojnë pa para, kurse fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së në të njëjtin Universitet të paguajnë” thotë deputeti i RDK-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button