Shkëndija e prek Evropën

Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka bërë të pamundurën, duke arritur nga një pozitë e palakmueshme, të kthehet në pozitë që i garanton ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Evropës. 

Shkëndija në ndeshjen e fundit të këtij në teren vendas me rezultatin e thellë 4:0 mundi Pelisterin, ndërkohë Vardari në ndeshjen e zhvilluar në Shtip nuk arriti që të shënojë fitore ndaj Bregallnicës duke barazuar me rezultat 0:0.

Falë këtij rezultati në Shtip, Shkëndija iu gëzua Evropës, edhe pse në gjysmësezonin e parë kjo skuadër  ishte në zonën e rrezikshme, por falë transferimeve të bëra gjatë afatit kalimtar të janarit nga ana e drejtuesve “kuq e zi”, në fund kjo skuadër ëndrrën e bëri realitet.
Sa i përket takimit përballë Pelisterit, golat u shënuan për vetëm 17 minut (nga minuta e 54-71’).

I pari që shënoi ishte kroati Bojan Vruçina, duke qenë i saktë nga penaltia. Goli i dytë ishte pjesë e Bujamin Shabanit i cili për mrekulli reagoi para mbrojtësve kundërshtarë pas një assisti të mrekullueshëm të Bojan Vruçinas, i cili në minutën e 67-të shënoi edhe golin e tretë për Shkëndijën, duke iu falënderuar kësaj radhe gabimit të portierit Pashovski.

Golin e katërt dhe të fundit për Shkëndijën në këtë ndeshje shumë të rëndësishme e realizoi rezervisti Elvir Nurishi, i cili po sa hyri në lojë i’a arriti qëllimit që të shënojë edhe golin e katërt, pasi u gjend në vendin e duhur pas një topi të devijuar nga shtylla.

Këtu ishte edhe fundi i golave të shënuar në këtë ndeshje, mirëpo jo edhe i emocioneve që vazhduan më pas në fushën e stadiumit në Tetovë ku të gjithë të pranishmit mbetën për ti ndjekur së bashku edhe minutat e fundit nga ndeshja në Shtip ndërmjet Bregallnicës dhe Vardarit, ku në fund rezultati mbeti i pandryshuar 0:0, rezultat ky që bëri që festa të shpërthejë në mesin e “Ballistëve” të cilët iu gëzuan daljes në Evropë me skuadrën e tyre të zemrës, e cila me siguri që do të ketë një përkrahje shumë të madhe në ndeshjet kualifikuese të LIGA Evropës.

Lajme të ngjashme

Back to top button