Ndalimi i gazetarit Mema, MPJ kërkon sqarime nga Greqia

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Shqipërisë ka kërkuar sqarime nga ambasada greke në Tiranë në lidhje me moslejmin për t’u futur në Greqi të gazetarit të Top Channel, Marin Mema, me pretendimin se ai përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të vendit fqinj.

Në mungesë të ambasadorit grek, për më shumë se 40 minuta, në Ministrinë e Punëve të Jashtme u thirr përfaqësuesi i ambasadës greke në Tiranë, Evangelos Tsolkas, i cili u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gazmend Turdiu.

Pas takimit nëpërmjet një deklarate Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e së dielës, kur gazetarit të Top Channel, Marin Mema, iu refuzua hyrja në territorin e Republikës Greke nga autoritetet e policisë kufitare në pikën e kalimit të kufirit në Qafë-Botë.

Ministria e Punëve të Jashtme gjykon se pengesat në realizimin e të drejtës për lëvizjen e lirë, nuk janë në përputhje me vullnetin e shprehur nga të dy palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe japin një sinjal jo pozitiv.

Sekretari i Përgjithshëm i kërkoi përfaqësuesit të Ambasadës greke arsyen përse gazetari Marin Mema cilësohet ‘person i padëshiruar’ në regjistrin kombëtar të Republikës Greke.
Ndërsa Ylli Rakipi kryetar i Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë dënon ndalimin e gazetarit Mema duke shtuar se shteti grek ka probleme madhore për të zgjidhur dhe jo të merret me të tilla forma mesjetare.

“Është një keqardhje përpara se të jetë një protestë e madhe nga ana jonë, nga ana e gazetarëve shqiptarë, nga ana e opinionit publik, është një keqardhje, pastaj është një protestë sepse ne nuk duam të kthehemi pas. Të gjithë i njohim vlerat e demokracisë që është edhe lëvizja e lirë, aq më tepër nuk mund të ndalohet një gazetar, nuk mund të ndalohet që ai të flasë, nuk mund t’i thuhet atij që nuk duhet të flasë. Autoritetet shqiptare duhet të ndalen fort në këtë rast, është një rast që duket qesharak, por që në të vërtetë është shumë serioz. Autoritetet shqiptare duhet t’i thonë stop këtij veprimi të palës greke ndaj gazetarit Marin Mema”.

Gazetari Top Channel mesditën e së dielës ndërsa po kryente procedurat për të hyrë në shtetin grek në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës iu komunikua vendimi policisë greke se i ndalohet hyrja në shtetin helen, sepse cilësohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në këtë vend.
Duket se ky vendim arbitrar i palës greke vjen si një hakmarrje e pastër tërësisht e pajustifikuar, pasi gazetari Mema nëpërmjet rubrikës së përjavëshme “Shqipëria Tjetër” ka realizuar lajme që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Përfshi një emision kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button