Grabitje e armatosur në filialin e një banke në Prishtinë
Një grabitje e armatosur ka ndodhur para pak minutash në filialin e një banke në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.
Këtë për Gazetën Blic e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se grabitja ka ndodhur në momentin kur punëtorët e një kompanie kanë qenë duke deponuar paratë në filialin e një banke.
“Rreth orës 20:00 në rrugën Bill Klinton, derisa punëtoret e një kompanie kanë qenë duke deponuar paratë në filialin e një banke, të njëjtit dyshohet se janë grabitur nga persona të armatosur. Policia ka nisur nje hetim lidhur me rastin dhe po punon për identifikimin e te dyshuarve”, tha ajo për Gazetën Blic.
Ndryshe, Gazeta Blic merr vesh se bëhet fjalë për grabitjen e një filiali të “ProCredit Bank” në Lakrishtë.