Solidaritet socialist, Venezuela dërgon ndihma në Kubë
Një anije ushtarake venezuelase ka mbërritur në Havana për të shpërndarë 100 tonë ndihma humanitare për Kubën, që kohët e fundit është goditur nga një tornado; ndërkohë që në shtëpi, qeveria e socialistit Nicolas Maduro refuzon ndihmat humanitare të dërguara nga vendet e tjera, për të zbutur krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi, transmeton Top Channel.
“Pavarësisht situatës në të cilën ne ndodhemi në vendin tonë, si rezultat i luftës së perandorisë së Shteteve të Bashkuara ndaj popullit tonë, ne mbetemi të fortë, por jemi të fortë edhe në solidaritet, në bashkëpunim dhe në miqësi me popullin e Fidelit”, tha Vivian Alvarado, e ngarkuar e Ambasadës së Venezuelës në Kubë.
Havana u godit nga një tornado i fuqishëm javën e shkuar, që u mori jetën 6 personave dhe dëmtoi 3.500 shtëpi. Por, Venezuela, që u hodh e para në ndihmë, është në gjendje edhe më kritike, me ushqimet dhe ilaçet që mungojnë në vend.
Sipas shifrave, 82 për qind e popullatës venezuelase jeton në varfëri dhe 12 për qind janë të paushqyer. Shpërthime sëmundjesh si difteria dhe tuberkulozi janë raportuar po ashtu.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera i kanë kërkuar Maduros të lejojë ndihmat humanitare të hyjnë në vend, por ky i fundit ka mbyllur kufijtë dhe thotë se kriza humanitare në Venezuelë është fabrikuar nga Uashingtoni, për të justifikuar ndërhyrjen në vendin amerikano-jugor. Ai premtoi madje se do të bllokonte spektaklin e rremë të ndihmave.