Sa shumë studentë, sa pak punë!

Dekadën e fundit dukshëm është shtuar  numri i studentëve të cilët ndjekin studimet në drejtimin e juridikut apo ekonomisë nëpër universitetet shtetërore apo private. Ekspertët tregojnë se është shtuar numri i përgjithshëm i studentëve posaçërisht atyre shqiptarë duke u rritur kështu edhe papunësia e tyre. Studentët shpesh herë mbarojnë studimet por mbesin pa punë, ose nuk gjejnë punë në drejtimin përkatës.

Meriton Nagavci, student i shkencave ekonomike në Universitetin Shtetërorë të Tetovës, shprehet pesimist se pas diplomimit mund të gjejë punë.

“Politikat e gabuara të shtetit po stimulojnë në masë të madhe shkencat shoqërore duke i lënë anash shkencat ekzakte me çka po krijohet një tepricë e madhe e studenteve qe po studiojnë shkencat shoqërore gjegjësisht Ekonominë e cila si numër është shumë më e madhe në raport me numrin e vendeve të punës” tha Nagavci.

Ky paradoks shoqëror është si  rezultat i politikave të gabuara sistematike qeveritare edhe në drejtim të politikës arsimore, thonë njohësit e politikave publike.

Eksperti i politikës publike, Jonuz Abdullai, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, duke komentuar këtë fenomen,  thotë se deri më tani janë bërë gabime të mëdha pasi mungojnë analizat decide për numrin e kuadrove deficitare.

“Këto janë deformime të cilat janë të trashëguara nga një garniturë tek tjetra dhe ballafaqohemi me një situatë ku kemi kuadër i cili është përgatitur por nuk ka hapësirë për tu punësuar në institucionet e shtetit por edhe në sektorin privat. Nuk ka hapësirë nga shkaku se nuk mund i riu i diplomuar të bëjë përvojë, ajo është kusht që ai të inkuadrohet. Prandaj, jam i mendimit se Qeveria deri tash ka bërë gabim jashtëzakonisht të madh që nuk ka bërë ndonjë analizë të thuktë, normal duke u mbështetur në kuadrin akademik në universitetet që i kemi” tha Abdullai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk duhet të lejojë numër të madh vendesh të lira në fakultetet e ekonomisë, juridikut dhe shkencave shoqërore tha më tej Abdullai.

“Nuk lihet hapësirë në universitetet që të stimulohen me bursa dhe kredi studentët të cilët nuk kanë mundësi financiare por kanë përgatitje dhe janë të aftë të studiojnë në fakultetet e shkencave teknike, apo ekzakte. Me një fjalë, kuadër të cilin e kemi deificitar, prandaj na paraqitet kjo diskrepancë mes asaj që ofrohet në nivel të regjistrimit të studentëve dhe në kërkesën në punësimet në vende të lira edhe pse pak ka por ata janë nga lëmitë që më së paku ekzistojnë dhe që shqiptarët kanë shumë pak hapësirë për tu regjistruar e jo pastaj edhe për të diplomuar” përfundon Abdullai.

Në të njëjtën vije të mendimit është edhe Marija Ristevska nga Qendra për Hulumtim dhe krijim të politikave (QHKP).

“MASH- i është ajo e cila e krijon politikën arsimore dhe i ndjek trendet edhe në tregun e punës edhe në trendet e qasjes së studentëve të cilët regjistrohen në çdo drejtim. Kjo është edhe Ministria  e cila mund të drejtoj në një farë mënyrë që nëpërmjet politikës regjistruese se sa studentë duhet të regjistrohen në çdonjërin prej programeve arsimore” tha Ristevska.

“Nuk duhet të harrohet se ende interesi më i madh dhe numri i studentëve të regjistruar është në shkencat ekonomike dhe juridike, kjo është rezultat i faktit se shteti deri tani ishte ai i cili më shumë punësonte. Vet politika e punësimit në administratën publike ishte të punësojnë gjeneralistë, do të thotë ekonomistë dhe juristë, edhe përkundër specialistëve, kështu që një numër i madh studentësh që kanë diplomuar administratë publike dhe që janë specialist të këtij sektori mbetën pa punë” përfundoi ajo. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button