Mosbesimi ndaj ministrit Besimi, rrezikon bashkëjetesën!

Edhe pse ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi deklaroi se nderimi i përmendores së UÇK-së në Sllupçan është gjest i qëllimit të mirë dhe bashkëjetesës ndëretnike, thuaj se i gjithë kreu i shtetit u distancua nga ky veprim i ministrit. Duke filluar nga Qeveria, pjesë e së cilës është edhe ministria e mbrojtjes, Shtatmadhoria, kryetari i shtetit dhe partia partner koalicioni i BDI-së. Jo vetëm që u distancuan, por kishte edhe reagime të ashpra ndaj këtij gjesti. Këto reagime aspak nuk ndikojnë në ndërtimin e një shoqërie multietnike por, përkundrazi, keqësojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe ulin besimin e ndërsjellë mes grupeve etnike, vlerësojnë ekspertët.

“Reagimet nga zyrtarët maqedonas sigurisht se nuk ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve. Ata në vend se me urtësi të marrin atë që ndodh, si pjesë e pajtimit, ato këtë e shohin si provokim. Por nuk e analizojnë se sa provokuese janë të gjitha komentet që i bëjnë palës tjetër, gjegjësisht palës shqiptare. Uroj që në deklaratat e tyre të ardhshme të jenë më të matur, me qëllim që të mos i keqësojnë marrëdhëniet edhe më tej” – thotë Albert Musliu, analist politik.

Sipas tij, kush do që nuk e pranon këtë akt si pajtim, nuk e do as bashkëjetesën në Maqedoni.
“Kjo që ndodhi atë ditë ishte pjesë e një kohezioni. Dy ditë para vizitoi “branitellat”, pas dy ditësh UÇK-në, dhe në Maqedoni është koha e fundit që të krijojmë një histori të përbashkët dhe jo të ndarë. Kush do që nuk e pranon këtë akt si pjesë e pajtimit, nuk e do pajtimin si pjesë e jetës publike në Maqedoni” – tha Musliu për Portalb.

Sociologu Ali Pajaziti reagimet e zyrtarëve i cilëson si manifestim se elita politike maqedonase ende po jeton në të kaluarën negative të vëndit.

“Kujtoj se reagimi kaq emocional dhe i parezon i kreut të shtetit ndaj “Rastit Sllupçan” tregon që elita politike maqedonase ende jeton me bagazhin negativ të së kaluarës, se ende nuk janë të gatshëm të kapërdijnë gjendjen e re të krijuar në mileniumin e ri në Maqedoni, kur shumë gjëra kanë ndryshuar por edhe shumë syresh duhet të kishin ndryshuar sipas këtij kursi të “ndërhyrjes kirurgjike” të quajtur Marrëveshje Kornizë. Në vend që të poentohej, pra të kuptohej si një moment për pacifikim shoqëror, kreu i shtetit u sollën sikur t’u ishte hedhur valë mbi kokë, veprime këto që tregojnë se hendeku ndërnacional ende është i hapur, dhe se ura e afrimit s’është ndërtuar deri në fund, ka mbetur diku në gjysmë të lumit” – thotë Pajaziti. 

Reagimet e bujshme kanë ardhur edhe nga një pjesë e mediave, sidomos nga ato maqedonase. Ekspertët në fushën e mediumeve vlerësojnë se mënyra e informimit sidomos për çështje që kanë lidhje me marrëdhëniet ndëretnike, duhet të jetë e kujdesshme dhe qëllimmirë. 

“Mediat në mënyrën se si informojnë në përgjithësi për çështjet në vend, sidomos pas Marrëveshjes së Ohrit, duhet të promovojnë tolerancë, bashkëjetese, të mos përdorin gjuhë urrejtjeje. Gjithë atë që e ndërtojmë si bashkëjetesë pas Marrëveshjes Kornizë duhet të jetë në atë drejtim dhe mediat të kontribuojnë. Në këtë kontekst, duhet të bëhen përpjekje të kuptohet konteksti i gjestit të Besimit, dhe e gjithë ajo në një aspekt më të gjerë shoqëror, të shoqërisë që e ndërtojmë pas MKO-së” – thotë Snezhana Tërpevska, eksperte në fushën e mediave.

Gjithsesi njëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është i dukshëm mosbesimi mes grupeve etnike. Edhe pse Ministri nderoi të dy palët pjesëmarrëse në konfliktin e 2001, vizita e tij në Sllupçan “dridhi” skenën politike por edhe opinionin publik./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button