(FOTO) Përcjellja e Arbën Xhaferit

Politikanë dhe qytetarë dhanë lamtumirën e fundit z.Xhaferit sot varrimit të tij në Tetovë. Në varrim, siç shihet edhe nga fotografitë, morrën pjesë një numër i madh i qytetarëve. Varimi u bë me nderime të larta dhe sipas riteve fetare.

*****************************************

Tash sa ka përfunduar akademia përkujtimore për të ndjerin Arbën Xhaferin  ku ishin të pranishëm një numër i madh i intelektualëve  dhe politikanëve nga të gjithë trojet. Tani pritet që të fillojë edhe përcjellja e fundit për në varrezat e qytetit të Tetovës. 

“Të flasësh për z.Arbën Xhaferi në këto moment të vështira për gjithë ne, mbase është tepër – Për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dhimbja është shumë e madhe, nuk mund të përshkruhet për familjarët e z.Arbën Xhaferi, për mua si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.  Kur një njeri që kemi dashtë shumë bëhet mbamendje, ashtu si ne e kemi dashur z.Arbën Xhaferi, atëherë ajo mbamendje bëhet pasuri. Padyshim mbamendja e shqiptarëve sot është më e pasur duke kujtuar jetën dhe veprën e z. Arbën Xhaferi. Pushoi së rrahurit një zemër e madhe, zemra e z. Arbën Xhaferi.

E tillë me siguri se asnjëherë nuk i humbin njerëzit të cilët i duan, qoftë edhe nëse ata vdesin. Ata vazhdojnë që të jenë pjesë e jona, në çdo veprim, në çdo mendim , e në cdo vendim. Ashtu do të jetë z. Arbën Xhaferi për mua. Dashuria dhe respekti për z. Arbën Xhaferi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë” u shpreh Lideri i PDSH, Menduh thaci në fjalimin e rastit.

Në ngushëllimin është bashkangjitur edhe rektori i USHT-së Prof.dr.Vullnet Ameti i cili mes tjerash tha “Arbën Xhaferri vuri në dispozicion idealet dhe gjithë potencialin e tij intelektual dhe fizik në shërbim të popullit, të drejtave dhe lirive njerëzore, paqes dhe stabilitetit në vend. Ai përdori dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet më të vështira në të cilat kaloi Republika e Maqedonisë. Me ndarjen nga jeta, Arbën Xhaferri ka lënë pas një shembull të mirë që do ta bëjë të kujtohet përherë mes nesh.

E nderuar familje Xhaferi, ne ndajmë me Ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh për humbjen e më të dashurit Tuaj”, thuhet në telegramin e ngushllimit të Rektorit të USHT-së.

Profesori universitar Lubomir Fërçkoski tha se kemi humbur një intelektual të veçantë nga Maqedonia.

Në këtë akademi përkujtimore ishin të pranishëm politikan nga Kosova, Shqipëria: Edi Rama, Ilir Meta, Bexhet Pacolli, Daut Haradinaj, Pandeli Majko si dhe një numër i madh i ambasadorëve./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button