Rufi Osmani: Jemi kampion në legalizim e objekteve në Maqedoni

Si Komunë kemi bërë përpjekje maksimale që t’i përgjigjemi të përgatitur çështjes së legalizimit. Jemi Komuna kampion në Maqedoni me afërsisht 2000 objekte të legalizuara. Kështu është shprehur kryetari i komunës së Gostivarit , Rufi Osmani duke sqaruar më detajisht procesin e legalizimit të objekteve ilegale në Gostivar.

“Çështja e legalizimeve nuk është në kompetencë të Komunës, por është e rregulluar me Ligjin për legalizim i cili definon qartë se të gjitha objektet të cilat janë të larta deri në 10,20m paguajnë kompensim për sipërfaqe banesore në nivel të 1 euro për metër katror.

Për ato objekte të cilat posedojnë lokale afariste, konform ligjit kjo vlerë e kompensimit nuk vlen, por zbatohet vendimi i Këshillit të Komunës për pagesë të legalizimit në nivel të kompensimit për komunalie, e që për lokalet në qytet, varësisht nga zonat, nënkupton pagesë 50, 40, 30… euro për metër katror.

Për banesat kolektive, pra për objektet banesore të cilat tejkalojnë lartësinë prej 10,20 m, ky kompensim sillet në 28, 26, 20… euro për metër katror, varësisht nga zona, kurse në fshatra 15, 10 ose 5 euro.

“Ne si Komunë vetëm zbatojmë ligjin në fuqi dhe Komuna e Gostivarit nuk ka alternativë për ndryshim të tarifave për lartësinë e kompensimit. Ne kemi mbajtur qëndrim shumë liberal në kuptim të afatit të pagesës dhe në shumicën e rasteve kemi mundësuar afat pagese prej 2 deri në 12 këste, varësisht nga lartësia e kompensimit që duhet paguar” ka thënë Osmani.

Qytetarët të cilët kanë qenë të manipuluar në mandatin paraprak me pagesën e të a.q. avans për komunalie, të cilët nuk kanë pasur leje ndërtimi konform ligjit,  janë të obliguar të respektojnë ligjin aktual dhe kompensimin për legalizim ta paguajnë komplet, ngase alternativa tjera ky ligj nuk lejon, ka apeluar kryetari i Gostivarit Osmani.

“Prandaj ua bëje me dije qytetarëve të cilët janë manipuluar në të kaluarën, ndërsa edhe aktualisht manipulohen nga të njëjtit persona, se gjoja kryetari i komunës nuk ua pranon këto pagesa, nuk janë të vërteta sepse ligji i propozuar nga qeveria VMRO-BDI dhe i miratuar nga shumica parlamentare, nuk ua pranon ato kompensime. I njoftoj këta qytetarë se ata kanë të drejtë që për pagesat të cilat i kanë kryer në emër të avansit për komunalie, të padisin personat të cilët i kanë manipuluar, të padisin Ndërmarrjen publike “Gostivar” si dhe të gjitha institucionet tjera duke kërkuar që ata t’ua kthejnë paratë” thotë ai duke apeluar që qytetarët sa më shumë ti legalizojnë objektet e tyre. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button