Religjioni kohezion social dhe fenomen i njerëzimit

Që kur këmba e njeriut të parë shkeli në këtë planet (Tokë), bashkë me të lindi edhe religjioni. Duke filluar nga epoka prehistorike bashkësitë e para primitive merreshin me rituale dhe ceremoni të ndryshme primitive. Kur burrat shkonin në gjueti, pjesëtarët tjerë të familjes bënin rituale dhe ceremoni të ndryshme që ata të mos i gjente ndonjë fatkeqësi. Po ashtu edhe të vdekurit i përcillnin në varre, gjegjësisht i varrosnin duke i vajtuar dhe bërë rituale e ceremoni mortore të ndryshme me qëllim që të prehen përgjithmonë në botën e përjetshme. Njeriu, në të gjithë epokat, duke filluar nga koha kur jetonte në shpellë – e deri në ditët e sotme bashkëkohore, ka qenë dhe është, siç shprehet filozofi dhe historiani i religjionit, Mircea Iliade, Homo Religiosus, gjë kjo e cila njihet si fenomen i përgjithshëm.

Djepi i shekullarizimit në Evropë ishte Franca. Ideologët, teoricienët dhe iluministët e parë të kësaj fryme ishin Voltaire, Jean-Jacques Rousseau dhe Comte de Saint-Simon. Sipas ideve të tyre iluminuese duheshe ndarë kisha nga shteti. Që nga Konstantini i Madh (Κωνσταντῖνος ὁ Μέγας) i Bizantit, i cili para vdekjes u konvertua nga pagan në të krishterë, dhe e shpalli krishterimin fe legjitime – filloi errësira, dekadenca, inkuizicioni, herezia dhe ndjekja e dijetarëve, shkencëtarëve, metafizikanëve nga ana e Kishës dhe autoriteteve të Perandorisë. Inkuizitorët, siç shkruan Dostojevski i kishin duart e përgjakura. Ata ishin kundër dijes, shkencës, të bukurës dhe progresit.

Pas Revolucionit Francez (1789-1799), Kisha si institucion e humbi hegjemoninë dhe dominimin e saj, njëjtë siç e humbi edhe vetë Perandoria. Shtetet tjera perëndimore, fill pas Francës, e ndanë kishën nga shteti, dhe kështu vunë themelet e parë të shekullarizmit. Teoria e re që u shfaq, pra, shekullarizmi, si tezë kryesore kishte zhveshjen dhe heqjen e normave dhe institucioneve religjioze, si dhe zhvendosjen e religjionit nga sfera publike në atë private, përkatësisht shndërrimin e besimit në çështje individuale dhe private. Sipas shumicës së sociologëve dhe iluministëve pas disa shekujve religjioni do të zhdukej, dhe kësisoj shoqëritë do të shpëtonin një herë e përgjithmonë nga prapambetja, dekadenca, dogmat e klerikëve dhe teologëve të korruptuar, ndërsa popujt dhe shoqëritë shekullariste do të edukohen, arsimohen dhe emancipohen sipas metodologjisë së shkencës empirike dhe shkencës humane.

Me ndarjen e kishës nga shteti, religjioni si pjesë e kulturës dhe qytetërimit do të ndryshonte dhe do ta ndante trupin nga shpirti. Nëpërmjet këtij akti, shoqëritë perëndimore njëherësh e dëbuan edhe Zotin: Ai ngeli në kisha dhe katedrale. Një hap më tej se kjo vajti lideri komunist Lenini: Ai pas fitores së Revolucionit të Tetorit (1917) bashkë me bolshevikët e tij – nuk e la Zotin së paku as në kisha e xhamia, por e dëboi Atë njëherë e përgjithmonë. Friedrich Nietzsche, nëpërmjet maksimës së tij të njohur “Zoti është i vdekur” (“Gott ist tot”) i shpalli luftë të hapur Zotit. Ai shkruan se, meqë Zoti ka vdekur, tash e tutje çdo gjë është e lejuar: Me fjalë të tjera, Nietzsche dëshironte të thoshte se kush do ta zëvendësonte Zotin. Ai ishte kritik i ashpër ndaj evolucionit darvinist, despotëve e tiranëve, dhe që kur u dëbua Zoti – ata trokitën në derë që ta zëvendësonin Zotin, gjegjësisht të bëhen vetë Zot. 

Edhe sikur të mos kishte Zot, njerëzimi do ta shpikte Zotin

Në vitin 1958 u formua Instituti Ndërkombëtar për Shkencën e Religjioneve (International Sociological Institute for Religious Studies). Shumë sociologë, antropologë dhe shkencëtarë të religjioneve shkruajnë se edhe sikur të mos ekzistonte Zoti, njerëzimi ka nevojë për Zotin, ndaj ata do ta shpiknin Zotin.

Psikanalisti Sigmund Freud shkruan sipas doktrinës dhe tezës se religjioni është neurozë, sëmundje psikike. Por, nga ana tjetër, Freudi shkruan se njeriu në të gjitha epokat ka qenë ngushtë i lidhur me Zotin dhe universalen. Ai shkruan se njeriu që nga lindja e deri në vdekje kalon mes tri stadeve hallkave: Në fëmijëri si mbështetës i ka prindërit, pastaj mësuesin, arsimtarët dhe pas adoleshencës si mbështetës deri në vdekje e ka Zotin. Sipas shumicës së sociologëve, religjioni ngushëllon dhe lehtëson dhimbjet e tragjeditë që pëson njeriu, gjegjësisht lehtëson detyrat e rënda që ai bart mbi supe në labirintin e kësaj bote. Ceremonitë, ritualet dhe takimet e përbashkëta të grupeve dukshëm ndikojnë në socializimin e njerëzve dhe rritjen e ndjenjës së solidaritetit në mes tyre, si dhe afrimin e raporteve në mes të tyre dhe Zotit. D.m.th. religjioni është pjesë integrale dhe sociale e shoqërisë dhe komuniteteve, ai është koherent dhe mban ekuilibrin e vlerave motivuese dhe fisnike të grupeve dhe familjeve. Sociologu dhe psikanalisti zviceran Carl Gustav Jung, dishepulli i Freudit, e që më vonë ishte kundër disa teorive dhe disiplinave të tij, shkruan se religjioni është shërim dhe melhem i shpirtit.

Teoria dhe doktrina marksiste rrënjët e saj i ka në Torën hebraike (תּוֹרָה). Karl Marksi ishte me origjinë hebraike, kurse i ati i tij u konvertua nga hebre në të krishterë. Marksi konsiderohet fëmija bastard i judeo-krishterimit. Doktrina filozofike dhe religjioni si bërthamë të dogmës kanë shumë pak divergjenca me materializmin dhe historicizmin dialektik. Ata i ndanë vetëm një fije floku. Shkenca humane empirike lindi mbi gërmadhat e judaizmit, krishterimit dhe Islamit. Është doktrinë e njëjtë por vetëm se nuk e pranon Zotin, Arkitektin e Universit. Marksi shkruan se religjioni është shpirti i një bote të pa shpirt materialiste. Sipas doktrinës marksiste religjioni ose religjionet janë opium i njerëzimit dhe njerëzit vetë do ta braktisin fenë. Marksi thotë se njeriu nuk duhet të ketë frikë nga zotat që vetë i shpiku. Megjithatë pas shumë përpjekjeve që këto doktrina, ideologji bënë që ta ndajnë dhe shkëpusin njeriun nga universalja, pra, nga Zoti, ishte e kotë. Sipas tablosë njeriu mbeti Homo Religiosus: 80% të banorëve të planetit tonë – Tokë, janë teistë, monoteistë, politeistë, panteistë, të gjithë besojnë në universalen, në Qenien Supreme dhe Unitetin e Universit.

Të gjithë këto sillen në një rrotë, rreth e rrotull boshtit dhe nga poshtë – lartë ngjiten në Univers. Njerëzimi është i lidhur me Tokën, por është i lidhur edhe me Universin. Një nga mendjet më të larta dhe më të ndritura të shekullit të kaluar (XX), filozofi dhe teoricieni Karl Popper shkruan se njerëzimi në këtë planet asnjëherë nuk do të zbulojë të vërtetën se si kemi ardhur, pse kemi ardhur dhe në fund ku do të shkojmë?; Sipas tij dhe shumë skeptikëve tjerë, religjioni si bërthamë e dogmës dhe mitologji hyjnore, njëjtë sikur teoria e Darvinit (“Mbi origjinën e llojeve” 1859), mbetet dogmë dhe relative, kurse sipas matematikës del spekulative. Ajo – siç ka ardhur – ashtu dhe do të ikë. Njerëzimi asnjëherë nuk do ta zbulojë të vërtetën. Njeriu është i pafuqishëm, kufijtë tanë janë të qartë, edhe pse aspirojmë dhe duam të zbulojmë Zotin ose të paktën engjëjt. E vërteta do të mbetet  mister, enigmë dhe thellësi e pa zbuluar përgjithmonë, deri sa të përfundojë jeta e njerëzimit në këtë planet tonin të vogël dhe të bukur – Tokë.

Nga: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button