Garë e ashpër elektorale në SHBA

Kanë mbetur më pak se 80 ditë deri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa fushata që po zhvillohet nga presidenti aktual Barack Obama, demokrat, dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney, është dominuar nga ripërtritja e dobët ekonomike dhe papunësia në shkallë kombëtare 8.3%.

Besohet se gara për president do të vendoset në 10 shtete, në të cilat është e paqartë se kah lëvizë elektorati. Prandaj, është e kuptueshme se kandidatët po bëjnë fushatë në pesë prej këtyre shteteve, në momentin kur ajo ka filluar me kapacitet të plotë, transmeton Evropa e Lirë.
Paul Ryan, kandidat për zëvendëspresident i republikanit Mitt Romney, e ka sulmuar politikën ekonomike të presidentit Barack Obama, në fushatën e parë të tij në Ajova, ku u paraqit pa Romnyen.

Në fjalimin e tij para mijëra mbështetësve në shtetin e Iowas, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në zgjedhjet presidenciale, Ryan, kongresmen 42 vjeçar, nga shteti Wiskonsin, e akuzoi Barack Obaman për “tkurrjen e së ardhmes për fëmijët”.

“Derisa po e shihni presidentin duke lëvizë në turneun e tij me autobus, ju mund t’ia bëni atij pyetjen e njëjtë, që mua ma bëjnë njerëzit nga e gjithë Amerika”, tha Ryan dhe shtoi se kjo pyetje është “ku janë vendet e punës, zoti president”.

Siç raporton agjencia AP, megjithëse pritja nga publiku ishte në masë të madhe pozitive, protestuesit disa herë e kanë ndërprerë fjalimin e tij, duke brohoritur “ndaleni luftën kundër klasës së mesme”.

Ryan nuk i komentoi akuzat e presidentit Obama, se ai e kishte penguar një legjislacion të paraparë për t’i ndihmuar fermerët e goditur nga thatësia. Ai theksoi se me “këto çështje politike” do të merret më vonë.

“Për fat të keq, aktualisht shumë anëtarë të Kongresit po e bllokojnë legjislacionin për ferma dhe shndërrimin e tij në ligj. Pol Ryan, është njëri nga liderët në Kongres, që po qëndron në rrugë”, ka thënë Obama.

“Kam dëgjuar se ai është në Iowa gjatë këtyre ditëve dhe nëse e shihni kongresmenin Ryan, i thoni se sa i rëndësishëm është ky legjislacion për Iowan dhe komunitetet rurale. Ne duhet ta lëmë politikën anash kur është çështja e ndërmarrjes së hapave të drejtë për Amerikën rurale dhe për Iowan”, tha Obama.

Më vonë, ekipi i Mitt Romnyt, nëpërmjet një deklarate të shkurtër tha se “është e vërtetë se askush nuk do të punojë më shumë për t’i ndihmuar fermerët dhe bujqit se sa Romney dhe Ryan”.

Por, republikani Mitt Romney, shkoi edhe më tej, duke vlerësuar se fushata e Obamës është “e papastër”.

“Fushata e presidentit është drejtuar kah një taktikë shumë e pazakonshme. Është njollosëse, është e papastër, është mashtruese, është jo e sinqertë. Kjo e ulë nivelin e zyrës së presidencës”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button